Gjermania e Franca janë duke u përgatitur që ta bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, ka paralajmëruar kryetari i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus. Njohës të çështjeve politike e kualifikuan si real këtë shqetësim, tek thanë se pengesat Parisi e Berlini zyrtar mund t’i ndërlidhin me kushtëzimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe
Kryetari i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, ka paralajmëruar të shtunën se disa shtete po bëjnë përpjekje për ta bllokuar votimin rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), që pritet të bëhet në maj.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, Knaus bëri të ditur se dy prej shteteve që po përgatiten të veprojnë kundër rekomandimit të Asamblesë Parlamentare se Kosova i përmbush kriteret për të qenë pjesë e Këshillit të Evropës, janë Franca dhe Gjermania.
“Në këtë moment, disa qeveri anëtare të Këshillit të Evropës, duke përfshirë Francën dhe Gjermaninë, po përgatiten të bllokojnë një votim për pranimin e Kosovës në maj, duke injoruar rekomandimin e fortë të Asamblesë së saj Parlamentare (APKE) në prill”, ka shkruar Knaus.
Kosova e mori dritën e gjelbër për anëtarësimin në KiE në Komitetin për Politikë dhe Demokraci, si dhe në Asamblenë Parlamentare të kësaj organizate. Hapi i fundit do të jetë votimi në takimin e Këshillit të Ministrave, i cili pritet të mbahet nga mesi i muajit maj, po qe se çështja e Kosovës përfshihet në agjendë.
Shqetësim se Franca dhe Gjermania mund të jenë pengesë për anëtarësimin e Kosovës shpreh edhe njohësi i çështjeve politike, Basri Muja.
“Pritjet e mija janë që Franca dhe Gjermania do të jenë pengesë për anëtarësimin e Kosovës, kur kësaj ia shtojmë edhe telefonatat e fundit që presidenti Macron dhe kancelari Scholz i kishin me Kurtin dhe koordinimi i qëndrimit të tyre për fillimin e procesit të themelimit të Asociacionit në një formë apo tjetër, atëherë mendoj që gjasat janë reale”, ka thënë ai.
Hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe janë përmendur si një parakusht për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës. Kjo i është përsëritur kryeministrit Albin Kurti, edhe në telefonatat që në ditët e fundit ka pranuar fillimisht nga presidenti francez, e më pas edhe nga kancelari gjerman.
Në komunikatën që presidenca franceze lëshoi për telefonatën, theksohet se presidenti Emmanuel Macron nënvizoi rëndësinë që “Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga autoritetet kosovare”.
Edhe Qeveria e Gjermanisë ka njoftuar se, në telefonatën me kryeministrin Kurti, kancelari Olaf Scholz ka theksuar “rëndësinë e masave konkrete drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga autoritetet e Kosovës, gjithashtu në kontekstin e kërkesës për pranim të Kosovës në Këshillin e Evropës”.
Në Qeveri nuk kanë komentuar lidhur me paralajmërimet se Franca e Gjermania mund të bëhen pengesë në anëtarësim.
Për t’i hapur rrugën votimit pro anëtarësimit në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, Qeveria vuri në zbatim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’ia bartur pronat prej 24 hektarësh Manastirit të Deçanit.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës, themeluar më 1949.
Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
Një prej përfitimeve direkte të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të jetë qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Serbia, shtet i cili e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, kishte propozuar disa amendamente në tekstin për rekomandimin që Kosova të pranohet në këtë organizatë.
Përmes tyre, kërkohej që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Evropës derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos vendosë për statusin e Kosovës. Serbia po ashtu kërkoi që në vazhdim të procesit, Kosovës t’i vihet si kusht themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Këto amendamente nuk kaluan.