Arbëri

Telekomit i refuzohet kërkesa që Z-Mobile ta kompensojë për 90 mijë numrat shtesë

Borxhi i ndërsjellë i Telekomit dhe Z-Mobile është trajtuar në seancën e së enjtes në Gjykatën e Apelit. Në të gjyqtari refuzoi disa kërkesa të kompanisë publike të telefonisë, në mesin e të cilave edhe atë për t’ia faturuar si borxh kompanisë së Blerim Devollit fitimin nga 90 mijë numrat shtesë që i shfrytëzoi

Përfaqësues të Telekomit dhe ata të kompanisë “Dardafon.net” janë përballur të enjten në Gjykatën Komerciale, pasi shkalla e parë konstatoi se ndërmarrja publike e telefonisë ia ka edhe një borxh prej 5.7 milionë eurosh kompanisë në pronësi të Blerim Devollit.

Kontesti më i ri mes tyre rrjedh nga marrëveshja e vitit 2017 për ekzekutimin e një vendimi final të Arbitrazhit.

Në seancën e shkuar, shkalla e dytë e Komerciales vendosi të caktojë një grup ekspertësh për të llogaritur vlerën e borxhit që kompanitë mund t’ia kenë njëra-tjetrës. 

E, të enjten beteja u zhvillua për kohën prej kur duhet të kalkulohet borxhi.

“Kërkojmë nga Gjykata që në këtë plotësim konkluzioni, për të mundur të vijmë në një përfundim të drejtë dhe të saktë, të përfshihen dhënia e 90.000 numrave shtesë dhe shërbimet 3G/4G për tërësinë e plotë 290 mijë numra”, ka kërkuar Durim Ahmetaj, zyrtar ligjor në Telekom.

Propozimin e Telekomit e kundërshtoi avokati i kompanisë “Dardafon”.

“Çfarëdo kompensimi që ka ekzistuar apo pagese tjetër, qoftë ajo e realizuar në mënyrë vullnetare ose jo vullnetare, është konstatuar dhe përfshirë në marrëveshjen e vitit 2020”, ka kundërshtuar avokati i “Dardafon”, Alban Makolli.

E gjyqtari i rastit e hodhi poshtë propozimin e Telekomit.

“Lidhur me propozimin e debitorit për plotësimin e konkluzionit të parashtruar në këtë seancë sa i përket llogaritjes së shumës së numrave 3G dhe 4G, të cilat pretendohen të llogariten si kompensim, Gjykata merr këtë aktvendim: Refuzohet si e pabazuar kërkesa e debitorit”, ka marrë vendim gjyqtari Dren Rogova.

Zyrtarët e Telekomit të pranishëm në sallën e gjykatës, përfshirë kryeshefen Burbuqe Hana, u përjashtuan nga seanca pas një konfrontimi verbal me gjyqtarin.

Me gjithë këtë situatë, në Telekom thanë se nuk e kanë humbur besimin në gjyqtarin, sa të kërkojnë përjashtimin e tij nga ky rast.

“Kemi shqetësime lidhur me paanësinë e gjyqtarit, sipas vlerësimit tonë. Mirëpo, jo deri në atë masë saqë të kërkojmë përjashtimin e gjyqtarit”, ka thënë Feim Kelmendi, zyrtar i lartë financiar në Telekom.

Llogaritë bankare të Telekomit janë të bllokuara që nga fundi i muajit shkurt, e prej atëherë rreth 1.700 punëtorët e kësaj ndërmarrjeje nuk i kanë marrë pagat.