Arbëri

Qe 10 vjet nuk është funksionalizuar platforma 5.6-milionëshe

Ministria e Arsimit nuk ka arritur t’i përmbushë obligimet e marrëveshjes së ratifikuar më 2014 për digjitalizimin e sistemit të edukimit. Në Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se buxhetit të shtetit do t’i kushtojë 5.6 milionë euro projekti i nisur dhjetë vjet më parë për modernizimin e sistemit arsimor. Ish-ministri i Arsimit në periudhën 2014-2017, Arsim Bajrami, ka pranuar se projekti ishte pa planifikim paraprak dhe i pabazuar në situatën dhe mundësitë që ofron sistemi arsimor

Mbi 5.6 milionë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit kredia e marrë në vitin 2014 për procesin e digjitalizimit të sistemit arsimor. Marrëveshja ishte arritur me bankën austriake “Unicredit Bank Austria” për zhvillimin e platformës digjitale “e-Edukimi”, por se për aktivizimin e saj nuk është punuar për dhjetë vjet.

Kjo është një nga gjetjet e Raporti të Zyrës Kombëtare të Auditimit, ku është thënë se Ministria e Arsimit nuk ka arritur t’i përmbushë obligimet e marrëveshjes për sigurimin e infrastrukturës së nevojshme harduerike dhe të rrjetit për të mundësuar përdorimin e sistemit që do të zhvillohej nga ky projekt. Sipas Raportit, marrëveshja është nënshkruar pa asnjë planifikim dhe analizë paraprake. 
“MASHTI gjatë kohës së zhvillimit të projektit, në fazat testuese ka përdorur infrastrukturën që ka ekzistuar në disa prej shkollave. Mirëpo ajo infrastrukturë ka rezultuar të jetë e pamjaftueshme, prandaj nuk ka vazhduar të përdoret edhe pas zhvillimit të projektit”, është thënë në raportin “Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit”.

Me zhvillimin e këtij projekti ishte e paraparë të krijohej sistem për mësim elektronik, digjitalizim i të dhënave dhe digjitalizim i provimit të maturës.

“Menaxhimi i kapaciteteve të TI-së duhet të bëhet sipas planifikimit dhe monitorimit të burimeve kompjuterike dhe të rrjetit për të siguruar që burimet e disponueshme të përdoren në mënyrë efikase dhe efektive”, shkruan në kontratën e nënshkruar në vitin 2013 e që marrëveshja për të siguruar projektin u ratifikua në Kuvend në vitin 2014. “Plani i kapaciteteve duhet të zhvillohet bazuar në të dhëna nga përdoruesit dhe menaxhmenti i sistemeve të informacionit dhe ky plan duhet të rishikohet dhe të përditësohet të paktën çdo vit.11 Klienti (MASHTI) është përgjegjës të sigurojë përgatitjet e nevojshme për instalim që i bart sipas instruksioneve të Operatorit Ekonomik dhe kërkesave teknike”, është thënë tutje në kontratë.

E neglizhenca e nivelit qendror është duke i penalizuar shkollat. Drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë, Mimoza Krasniqi, ka thënë se mosdigjitalizimi i sistemit arsimor është duke i stërngarkuar ata. 

“Tash duhet me ia kërkuar të dhënat prindit, një dokument. Ai duhet të m’i dërgojë të gjitha. Pastaj ne duhet të shfletojmë librin amë, ditarin për me e nxjerrë një certifikatë”, ka thënë ajo. 
Shkolla që ajo udhëheq numëron rreth 2800 nxënës. 

“Kujdestarë klasash i plotësojnë secili nga 40 dëftesa, plus fletoret që i kanë për ecurinë e mësimit të nxënësve. Ato kur të plotësohen dhe nëse bëhet ndonjë gabim teknik në nota, pasi ka dallime në lëndë, për shembull në klasën e gjashtë nuk ka lëndë të kimisë, aty është e përshkruar dhe bie poshtë ajo dëftesë”, ka sqaruar Krasniqi. 

Për ngecjet në modernizimin e sistemit arsimor është kërkuar përgjegjësi. 

“Dështimi i digjitalizimit është edhe te mungesa e llogaridhënies. Duhet llogaridhënie për këto kontrata të nënshkruara e që nuk janë realizuar, e gjithashtu duhet edhe llogaridhënie pse një objektiv i strategjisë së arsimit nuk është realizuar”, ka thënë Rinor Qehaja, njohës i çështjeve të arsimit. 
Digjitalizimi është në objektivat kryesore të Strategjisë së Arsimit 2022-2026. Shkollave në Kosovë vazhdon t’u mungojë platforma gjithëpërfshirëse digjitale. Një numër i vogël i institucioneve arsimore funksionojnë me platformën “shkolla.org”, e disa me “E-shkollorin”. 

Në konferencën e Zyrës Kombëtare të Auditimit është thënë se Ministria e Arsimit nuk ishte bashkëpunuese gjatë procesit të auditimit.

“Ministria nuk ka arritur të ofrojë dokumentacionin e nevojshëm dhe qasjen në sistemet e informacionit, të kërkuara gjatë auditimit. Kjo ka kufizuar dukshëm fushëveprimin e auditimit”, ka thënë Vlora Spanca, auditore epPërgjithshme. “Për më tepër Ministria nuk ka arritur të sigurojë efikasitetin e produktit/sistemit të projektit, veçanërisht në lidhje me aftësinë e tij për t’i shërbyer qëllimit të tij zhvillimor, e aq më pak që sistemi ka mbetur i pashfrytëzuar dhe i pamirëmbajtur për një periudhë të gjatë kohore”, ka shtuar ajo. 

Në Ministri të Arsimit nuk dhanë përgjigje rreth kësaj kritike. E, KOHA ka kontaktuar edhe ministrin përgjegjës në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes, Ramë Buja, dhe ministrin përgjegjës në kohën kur është ratifikuar marrëveshja, Arsim Bajrami. Ish-ministri Buja nuk ka qenë i qasshëm në telefon. E Bajrami ka thënë se problem ka paraqitur mungesa e pajisjeve teknologjike në shkolla. 

“Unë detyrën e kam pranuar më 10 dhjetor 2014. Gjatë mandatit tim (periudha 10 dhjetor 2014 – 12 shtator 2017) kam pasur rastin të njoftohem nga departamentet përkatëse zhvillimore të MASHTI-t që komponentë të caktuar të këtij projekti nuk mund të realizohen  për shkak të mungesës së pajisjeve të teknologjisë nëpër shkolla e Kosovës”, ka thënë ai. “Është e qartë nga gjetjet e Raportit të auditimit që projekti në fjalë ishte iniciuar në vitin 2013-2014 pa planifikim paraprak dhe i pabazuar në situatën dhe mundësitë që ofron sistemi ynë arsimor dhe si i tillë pastaj pashmangshëm është përcjellë me mangësi gjatë zbatimit”, ka shtuar Bajrami. 

Ish-ministri Bajrami ka treguar se kompania austriake që ka fituar projektin ka ofruar dy vjet garanci dhe mirëmbajtje. 

“Nëse ka pasur probleme, ato kanë mund të adresohen nga tre ministra që kanë udhëhequr MASHTI-n deri në vitin 2020, Shyqeri Bytyçi, Ramë Likaj dhe Hykmete Bajrami”, ka deklaruar Bajrami.  

Qeveria ka afat të paguajë kredinë deri më 2032. Deri më tani janë dhënë rreth 750 mijë euro. 

“Prej vitit 2014 deri në vitin 2023 për këtë projekt Qeveria e Kosovës ka paguar vlerën prej 740.945 eurosh  në emër të kryegjësë, interesit dhe tarifave sipas kontratës/marrëveshjes. Pjesa e mbetur për pagesë deri në përfundim, sipas planit të pagesave është 4,896,574 euro. Gjithsej shuma që do të paguhet për këtë projekt deri në vitin 2032 është 5,637,519 euro”, është thënë në Raport.