Janë bërë 25 vjet nga masakra e Mejës së Gjakovës, më e madhja që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë. 376 civilë, mes të cilëve edhe fëmijë, u ndanë nga kolona që ishte nisur për Shqipëri dhe pas torturave nga forcat serbe, u vranë. Familjarë të viktimave kërkuan drejtësi, e përfaqësues shtetërorë thanë se shteti Serb refuzon t’i hapë arkivat që identifikojnë kriminelët. Dita e masakrës përkon edhe me ditën kombëtare të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Kryeministri Kurti tha se Kosova as nuk harron e as nuk fal
Në mesin e më shumë se 370 varreve në Kompleksin memorial të Mejës janë edhe ata të katër anëtarëve të familjes së Hyra Mehmetit, të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ajo edhe në këtë përvjetor qëndroi ulur pranë varrezave, prej nga kujtoi momentin e ndarjes së burrave nga kolonat e refugjatëve e më pas ekzekutimin e tyre. Trupi i bashkëshortit, dhe i vëllait e dy djemve të tij iu kthyen asaj pesë vjet pas përfundimit të luftës.
“Njëri djalë u kanë 20 vjet e njëri 18. Burri 43. Edhe vëllai ashtu, 35. S’paska kush çka bën. Ditë zie ajo ditë u kanë për ne. Nuk e harroj deri të shkoj atje qysh m’i kanë marrë prej traktorit”, thotë Mehmeti. “I kem gjetë trupat e tyre. I kem gjetë. Na kanë thanë që janë trupat e tyre dhe i kem varrosë. Çka me bë? Pas pesë vjetësh”.
“As nuk harrojmë, as nuk falim”
“Lëndina e Pikëllimit” në Mejë të shtunën u mbush me qindra vizitorë, në mesin e tyre familjarë që bënë homazhe te varrezat e martirëve.
Zeqë Alia teksa rrëfen për të afërmit që iu vranë në luftë, kritikon udhëheqësit shtetërorë për mungesën e drejtësisë edhe pas 25 vjetësh.
“Asnjë pikë (nuk kanë punuar për zbardhjen e krimeve v.j.). Kanë ba vetëm për karrige, për pasuri familjare e individuale”, ka thënë Alia.
Në Mejë homazhe bënë edhe përfaqësuesit shtetërorë, deputetë e kryetarë të komunave.
Presidentja Vjosa Osmani masakrën e Mejës e quajti “Srebrenica e Kosovës” dhe tha se nuk do reshtet së kërkuari drejtësi.
“Meja është testament i kësaj dhimbjeje të vazhdueshme në çdo shtëpi të Kosovës. Lëndina e pikëllimit është vendi i së vërtetës sonë, është rrëfimi i trishtë për 376 fate njerëzore. Është ‘Srebrenica e Kosovës’”, ka thënë Osmani. “Ky vend është edhe thirrja jonë më e fuqishme për drejtësi, është personifikim i rrugës së vështirë dhe sakrificës nëpër të cilën kemi kaluar si popull, por edhe i përkushtimit të vazhdueshëm për ta mbrojtur të vërtetën dhe për ta vendosur drejtësinë”.
E kryeministri Albin Kurti akuzoi pushtetin në Serbi se nuk do që kryesit e krimeve të luftës të vihen para drejtësisë.
“Trashëgimtarët e Milosheviqit në Beograd dikur bashkëpunëtorë e sot politikanë, drejtues të shtetit serb, refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive dhe refuzojnë të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare. E ne vazhdojmë të kërkojmë 1,597 të zhdukur nga lufta e fundit”, ka thënë Kurti. “Përballë këtyre hileve të Serbisë me mashtrime, Republika e Kosovës lufton me të drejtën e saj kundër propagandës së Serbisë në betejat për të vërtetën historike të Kosovës dhe për adresimin e saj para drejtësisë. Republika jonë është e vendosur të ngadhënjejë, sepse ne as nuk harrojmë e as nuk falim”.
Masakra e Mejës është kujtuar edhe nga përfaqësuesit e partive opozitare.
Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka shkruar në Facebook se më 27 prill të 1999-s në Mejë, gjenocidi i orkestruar i shtetit serb në Kosovë është shfaqur në mënyrën më barbare, me masakrimin e 376 shqiptarëve. Ngjarjen në Mejë ai e ka kualifikuar si të vërtetën e Serbisë, të cilën e akuzoi se ende i mban të lirë me dhjetëra oficerë të lartë që kanë qenë të përfshirë, direkt apo indirekt, ose kanë qenë në dijeni për masakrën e pleqve, burrave e fëmijë të vrarë në gjakftohtësi dhe me paramendim.
E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësoi se nuk është rastësi që Dita Kombëtare për Personat e Zhdukur shënohet pikërisht në ditën e masakrës së Mejës, kur, siç tha, forcat serbe kryen njërën prej masakrave më të mëdha në Kosovë. Ai ka shkruar në rrjete sociale se për të vrarët në Mejë kurrë nuk do të ndalet kërkimi për drejtësi.
Mëngjesin e 27 prillit të vitit 1999, forcat serbe në Mejë ekzekutuan 376 persona, nga 15 fshatra të rrethit të Gjakovës.
“Serbia vazhdon të flejë mbi varreza masive”
Masakra e Mejës përkon me ditën e të zhdukurve me dhunë në luftën e fundit në Kosovë, e pranë memorialit në Prishtinë dedikuar atyre bënë homazhe përfaqësuesit e shtetit.
Presidentja Osmani akuzoi Serbinë se po bën krime të dyfishta, duke e shkelur edhe Marrëveshjen për personat e pagjetur, dhe duke i shpërfillur kërkesat e Kosovës për hapjen e arkivave të policisë dhe ushtrisë serbe në lidhje me mijëra personat e zhdukur me forcë gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
Osmani e ka quajtur 27 prillin ditën më të dhimbshme në historinë e vendit dhe plagë të hapur derisa nuk zbardhet fati i të pagjeturve.
“Është një dhimbje që ta shpon shpirtin, sepse për dallim nga shumë tjerë që kanë humbur më të dashurit, familjet e të zhdukurve akoma nuk kanë ku ta vendosin një lule për t’i përkujtuar familjarët e tyre”, ka thënë ajo. “Edhe sot Serbia vazhdon të flejë mbi varreza masive, edhe sot Serbia vazhdon të bëjë krim të dyfishtë, sepse një herë e kreu krimin dhe pastaj bëri çmos që ta fshehë atë duke i fshehur gjurmët e krimit”.
Kosova dhe Serbia, një vit më parë, u pajtuan për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Zotimet që u bënë me këtë deklaratë përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, konfirmoi më parë se Deklarata e përbashkët, e miratuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në maj të vitit 2023 “nuk po zbatohet ende”.
Stano theksoi se Deklarata nuk është ligjërisht e detyrueshme, por shtoi se BE-ja kërkon nga palët që të angazhohen “në mënyrë konstruktive” në kuadër të dialogut, për të arritur pajtueshmëri për termat e referencës.
Të shtunën, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur keqardhje që nuk është bërë progres për të pagjeturit në tre vjetët e fundit për shkak të asaj që ai e ka quajtur “bllokadë politike”.
Rohde ka thënë se ka ende nevojë për veprime për të zbardhur fatin e të zhdukurve gjatë luftës.
“Solidarizohem me familjet e personave të zhdukur. 25 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ka ende nevojë për veprim dhe shumë fate mbeten të panjohura. Më shumë se keqardhje që nuk është bërë asnjë progres në 3 vjetët e fundit për shkak të bllokadës politike”, ka shkruar ambasadori gjerman në platformën sociale “X”.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000, prej të cilëve rreth 1,600 janë ende të pagjetur.
Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.