Arbëri

Kosovarët, populli me mbështetjen më të madhe për lidershipin amerikan

Joe Biden

Joe Biden

Foto: Associated Press

Kosovarët janë populli që mbështet më së shumti lidershipin amerikan, sipas një ankete të kryer nga “Gallupi” së fundmi. 

84 për qind e popullit kosovar mbështet lidershipin amerikan, ndërsa vetëm 6 e kundërshtojnë. 10 për qind e të anketuarve kanë refuzuar të zgjedhin. Sipas anketës, megjithatë ka rënie të mbështetjes edhe te kosovarët për lidershipin e Joe Bidenit, për 6 për qind në krahasim me raportin e vitit të shkuar. 

Pas Kosovës, sipas anketës, mbështetësit më të mëdhenj për lidershipin amerikan janë polakët me 73 për qind mbështetje. Shqipëria është e treta me 63 për qind.

Bazuar në raportin e “Gallupit”, Kosova del të jetë shteti me përqindjen më të lartë të mbështetjes për lidershipin amerikan, në gjithë botën.

Shtetet tjera të rajonit e mbështesin më pak lidershipin amerikan. Në Maqedoninë e Veriut mbështetja është 37 për qind, në Mal të Zi 30 e Serbia është e parafundit në Evropë me vetëm 10 për qind mbështetje për lidershipin amerikan. Më pak përkrahje për liderhsipin amerikan kanë vetëm rusët.

Në përgjithësi, raporti i publikuar pak ditë më parë, nxjerr në pah se SHBA-ja ruan mbështetjen botërore me rreth 40 për qind. Anketa është kryer vitin e shkuar. Të dhënat janë marrë nga qytetarë në 130 shtete. Ata janë pyetur për lidershipin në SHBA, Gjermani, Kinë dhe Rusi.

Gjermania doli të jetë e para me besim për të shtatin vit rresht me 46 për qind të mbështetjes.

SHBA-ja ka mbështetje prej 41 për qind të këtyre të anketuarve. Është më pak se në vitin 2021, kur Bideni mori presidencën. Atë kohë përkrahja ishte 45 për qind.