Arbëri

Gjermania e Franca kërkojnë dërgimin e draftit të Asociacionit në Kushtetuese para votimit në KiE

Franca dhe Gjermania janë duke kërkuar që Kosova të bëjë hapa drejt formimit të Asociacionit para se të mbahet votimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Derisa votimi ende nuk është futur zyrtarisht në rend të ditës për mbledhjen e Komitetit të Ministrave në mes të majit, përfaqësues të lartë gjermanë e francezë kërkuan që Kosova ta dërgojë në Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit.

Dërgimi i draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, është kërkesa e radhës e ndërkombëtarëve para anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ndonëse autoritetet e Kosovës janë zotuar se në drejtim të zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin do të punojnë pas anëtarësimit në KiE, një hap në këtë drejtim është duke u kërkuar të bëhet para votimit në mes të majit.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka lidhur përkrahjen e Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës me Asociacionin.

“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Presidenca e Francës.

Por kryeministri i Kosovës shprehu besimin se Franca do ta mbështesë anëtarësimin në Këshillin e Evropës pa parakushte.

“Në një telefonatë me presidentin Macron, e falënderova për mbështetjen e palëkundur të Francës për Kosovën dhe shpreha besimin tonë se Franca do ta mbështesë ofertën e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës pa parakushte të mëtejshme, në përputhje me votimin historik të Asamblesë Parlamentare. Gjithashtu insistova në respektimin dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti.

Hapa të prekshëm në drejtim të zbatimit të Asociacionit ka kërkuar edhe Gjermania.

Ambasadori Jorn Rohde, në një intervistë për emisionin Interaktiv, tha se bindja e qeverive për përkrahje në votimin e radhës në KiE është në duar të Qeverisë së Kosovës.

“Ju duhet ta bëni atë. Dhe ajo që na duhet është një hap i prekshëm. Jo zbatimi. E kam thënë edhe në një intervistë tjetër së fundmi. Zbatimi i plotë është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit. Por nëse doni të hyni diku, ju duhet ta bëni një hap të prekshëm”, ka thënë Rohde.

KOHA: Çfarë është ai hap i prekshëm zoti ambasador...

Rohde: Ta dërgoni këtë statut të Asociacionit te Gjykata Kushtetuese për rishikim.

KOHA: Kjo është kërkesa që keni para se të votohet në Këshillin e Evropës?

Rohde: Po. Ky mund të ishte një hap i prekshëm. Dhe ky mund të ishte hapi i parë për të treguar një përkushtim të qartë nga Kosova se është në binarë për ta zbatuar atë marrëveshje”.

Zbatimin e Marrëveshjes së Asociacionit e ka kërkuar të mërkurën edhe emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. 

Ai ka thënë se edhe Kosova edhe Serbia duhet ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, e cila përfshin edhe themelimin e Asociacionit.