Kryeqyteti

Rikthehet orari i vjetër i barnatoreve në Prishtinë

barnatore

Foto: Driton Paçarada

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka zëvendësuar përkohësisht rregulloren për orarin e barnatoreve, duke e kthyer në fuqi rregulloren e vitit 2010.

Me 40 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi Komunal të mërkurën vendosi që orari i barnatoreve të jetë nga ora 07:00 deri 22:00. 

Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, ka thënë se prapë do të ketë barnatore kujdestare. Por se si do të funksionojnë, ende nuk dihet. 

Komuna e Prishtinës në shtator të vitit të kaluar kishte marrë vendim për ndryshim të orarit të barnatoreve. Për herë të parë që nga paslufta, Prishtina kishte barnatore kujdestare. Por pati shumë ankesa.

Ishte vendosur që nga e hëna në të premte do të kujdestarojnë pesë barnatore në të gjithë kryeqytetin. Kishte rotacion çdo javë.

Në dhjetë barnatore, të dielave dhe festave pati kujdestari me orar të plotë nga ora 07:00 deri në 07:00, ndërsa të tjerat e kishin ditë pushimi.

Orari i natës për barnatoret ishte nga ora 21:00 deri në 07:00 të mëngjesit.