I pezulluar nga UP-ja

Prokuroria inicion rast ndaj profesorit Xhevat Krasniqi për “ngacmim seksual”

Xhevat Krasniqi

Foto: Alban Bujari

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se është iniciuar rast ndaj profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, në drejtim të veprës penale “Ngacmim seksual”.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka thënë për KOHËN se Policia është autorizuar për të ndërmarrë veprimet hetimore. 

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘ngacmimi seksual’. Ashtu siç iu kemi njoftuar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje”, ka thënë ajo. 

Ulaj ka shtuar se aktualisht po në kuadër të hetimeve po merren deklarata të personave të përfshirë në këtë rast.

Të martën Universiteti i Prishtinës ka marrë vendim për pezullim nga detyra të profesorit të Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi. 

Në vendimin e siguruar nga KOHA thuhet se Krasniqi do të pezullohet menjëherë, “derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë së shtetit”.


UP-ja pezullon profesorin Xhevat Krasniqi

Universiteti i Prishtinës ka marrë vendim për ta pezulluar nga detyra profesorin e Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqin.

Në vendimin e siguruar nga KOHA thuhet se Krasniqi do të pezullohet menjëherë, “derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë së shtetit”.

“Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe me rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të prof. Xh.K. me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë së shtetit”, thuhet në vendimin e Rektoratit.

Këshilli i Etikës ka thënë tutje se refuzon sulmet nga persona brenda dhe jashtë UP-së, duke kërkuar “përmbajtje dhe rezervim nga çfarëdo ndërhyrje dhe sulmi ndaj UP-së, sidomos nga vetë anëtarët e stafit”.


Këshilli i Etikës ia rekomandon Rektoratit suspendimin e Xhevat Krasniqit

Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës i ka rekomanduar Rektoratit që ta suspendojë profesorin Xhevat Krasniqi, i cili është denoncuar për ngacmim seksual. 

Xhevat Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Universitetit të Prishtinës se i kishte ngacmuar seksualisht, duke iu thënë disa prej tyre “kur dush të bëj masazh”.

Sipas një ankueseje, profesori i Fakultetit të Edukimit po jepte edhe lëndën e Matematikës në Fakultetin e Mjekësisë, e aty thuhet se kishte “demonstruar me duar fjalën ‘masazh’.

“Kam hyrë të konsultohem me profin në fjalë dhe për të shikuar se ku m’i ka hequr 0.5 pikë nga provimi, e le që përgjigjen nuk e mora, por dola e tronditur nga ajo zyrë me një përgjigje aspak adekuate, morale dhe joprofesionale”, ka thënë njëra nga studentet në ankesën e saj që është paraqitur në Këshill. “E këtu po i citoj fjalët e tij: ‘Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh’, i cili ma ka demonstruar me duar fjalën ‘masazh’ dhe është afruar për të më përqafuar”, thuhet në ankesë.