Këshilli i Sigurimit

Osmani: Serbia e ka eskaluar agresionin ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar në Këshill të Sigurimit të OKB-së se Serbia e ka eskaluar agresionin ndaj Kosovës, duke përmendur kidnapimin e policëve në veri, sulmin ndaj gazetarëve dhe sulmin në Banjskë.

Ajo ka deklaruar të hënën se autoritetet serbe janë përgjegjëse për sulmin në fshatin Banjskë të Zveçanit pasi “kryerësit e sulmit sillen lirshëm në Serbi e vazhdojnë të marrin kontrata të mëdha nga qeveria e Vuçiqit”.

“Përpjekjet nga Serbia për destabilizim janë aktive. E ka eskaluar agresionin fillimisht me kidnapinimin e policëve, sulmin ndaj gazetarëve e sulmin terrorist ndaj Kosovës në shtator. Pas këtij sulmi, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Serbia ka përdorur prani të madhe ushtarake të artilerisë me tanke e njësi të mekanizuara...Serbia bën përpjekje për të prishur integrimin e serbëve në Kosovë...Serbët në Kosovë janë nën trysni, por jo nga Kosova po nga Qeverisë e Serbisë”, është shprehur presidentja Osmani.

Duke folur për procesin e votimit në veri, Osmani ka theksuar se serbët lokalë u mbanë nën presion dhe s’e shfrytëzuan mundësinë për votim.

Osmani ka folur para Këshillit të Sigurimit se mijëra gra në Kosovë kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, duke përmendur Vasfije Krasniqin dhe Shyhrete Tahirin, dy të mbijetuara.

“Vasfije Krasniqi ishte 16-vjeçe kur u dhunua dy herë nga forcat policore të Milosheviqit. Ata donin t’ia mbysnin shpresën. ‘Më shumë do të heqësh nëse vazhdon të jetosh’ i kanë thënë ata, kur ajo i kishte lutur që ta mbytnin. Shyhrete Tahiri-Sulejmani gjithashtu është një nga mijëra të mbijetuara nga dhuna seksuale në Kosovë. Ajo ka qenë cak i krimit njerëzor. Është dhunuar para vajzave, njëra 3-vjeçare e tjetra 1-vjeçare. Forcat e Milosheviqit kryen këto krime para syve të fëmijëve që dhimbja të kalonte nga gjenerata në gjeneratë”, ka thënë Osmani.

Prezente pranë Osmanit ishte edhe Fahrije Hoti që bashkëshorti iu zhduk nga forcat serbe. Osmani ka folur edhe për mbijetesën e saj dhe aktivitetin e saj si mesazh për të kërkuar drejtësi.

“Do të përsëris që t’i mbajmë llogaridhënës ata kryerës të veprave...Mbi 1.600 individë në Kosovë ende janë të zhdukur e të varrosur në varrezat masive në Serbi...Kërkojmë kthimin dhe vazhdojmë të punojmë për të zgjedhur rrugën e drejtësisë, e kjo rrugë është për të forcuar përkushtimin tonë që krimet e tilla të mos përsëriten më asnjëherë”, ka thënë ajo.

Presidenti Vuçiq u ankua nga prezenca e Krasniqit, Tahirit dhe e Hotit, duke u shprehur se ky ishte “kurth për delegacionin serb”.

E, Osmani u kundërpërgjigj duke thënë se ato janë pjesë e kabinetit të saj.


SHBA-ja bën thirrje që Radoiçiqi të sillet para drejtësisë, dënon ndalimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi

Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshill të Sigurimit të OKB-së, Robert Wood, ka bërë thirrje sërish që përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, të sillen para drejtësisë. 
Ai po ashtu ka dënuar ndalimin e qytetarëve të Kosovës javën e kaluar nga autoritetet serbe, ndërsa po kalonin tranzit nëpërmjet Serbisë. 

“Kanë kaluar shtatë muaj që nga sulmi paramilitar serb ndaj Policisë së Kosovës në afërsi të Manastirit të Banjskës në veri të Kosovës. Serbia nuk ka bërë asnjë lëvizje domethënëse pë përgjegjësinë e atyre që janë përfshirë, përfshirë udhëheqësin e vetëshpallur të sulmit, Milan Radoiçiq. Ne kërkojmë llogaridhënie të plotë në përputhje me sundimin e ligjit. Është e rëndësishme që Serbia të punojë me KFOR-in për ta parandaluar një sulm tjetër si ai i 24 shtatorit”, tha Wood. 

Ai ka thënë se ndalimi i qytetarëve të Kosovës në Serbi ishte shkelje e marrëveshjeve të kaluara, e lirisë së lëvizjes dhe formë e frikësimit të serbëve të Kosovës që marrin pjesë në jetën civile të Kosovës. 

“Ne kemi qenë thellësisht të shqetësuar me pengimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve të Kosovës që po kalonin tranzit në Serbi më 17 prill dhe ndalimin e qytetarëve kosovarë, përfshirë serbë etnikë që shërbejnë në Policinë e Kosovës. Këto veprime janë shkelje e marrëveshjeve të kaluara për lirinë e lëvizjes dhe një formë e frikësimit të serbëve të Kosovës që marrin pjesë në jetën qytetare të Kosovës”. 

Po ashtu ai ka thënë se SHBA-ja mbetet e shqetësuar lidhur me rregulloren e BQK-së për transaksione kesh. 

Ndërsa ka bërë thirrje për normalizim të marrëdhënieve, duke përfshirë gjetjen e një “zgjidhje për valutën dhe po ashtu përparim drejt formimit të Asociacionit”. 

“Dialogu është mënyra e vetme drejt normalizimit dhe rruga drejt institucioneve evropiane për të dyja palët”. 

Ai ka folur edhe për mbajtjen e votimit të dielën për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës. Ka thënë se ndjen keqardhje se disa faktorë politikë nuk e shfrytëzuan këtë të drejtë demokratike të ofruar nga Kosova. 

“E vlerësojmë angazhimin e Kosovës që të lejojë të gjithë qytetarët në katër komunat të marrin pjesë në këtë proces. E dimë se nuk ka pasur vendim për shkarkimin e kryetarëve dhe ata mbesin në fuqi, sipas kornizës ligjore të Kosovës”, ka thënë ai. 

Ai po ashtu ka ripërsëritur thirrjet për përfundimin e mandatit të UNMIK-ut. 


Britania e Madhe: E mbështesim Kosovën në aspiratat për integrim

Britania e Madhe ka deklaruar se është mbështetëse për aspiratat e Kosovës në integrimin evropian, duke i kërkuar njëkohësisht zbatimin e dakordimeve me Serbinë në Bruksel.

Përfaqësuesi i Britanisë në Këshill të Sigurimit i ka bërë thirrje Serbisë që t’i mbajë në përgjegjësi kryerësit e sulmit në Banjskë në shtatorin e 2023-s.

“Lista Serbe e akterë të tjerë s’duhet të qëndrojnë në rrugën e serbëve që jetojnë në Kosovë...”, është shprehur ai.


Sllovenia: Dialogu, opsioni i vetëm për Kosovën e Serbinë

Përfaqësuesi i Sllovenisë në Këshill të Sigurimit ka deklaruar se dialogu duhet të jetë opsioni i vetëm për Kosovën dhe Serbinë në gjetjen e zgjidhjes.

Ai ka deklaruar të hënën se palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e dakorduara “sidomos ato të Brukselit dhe të Ohrit”.

“Normalizimi shkon krah për krah me ofrimin e një mjedisi të sigurt përparimtar në Kosovë. Menaxhimi i mirëfilltë i komunitetit serb duhet të zbatohet në mirëbesim. Zgjidhja s’mund t’iu imponohet në asnjërën anë, dialogu është urgjent. Qeveria në Prishtinë duhet të zbatojë atë që është dakorduar”, ka thënë ai.


Rusia: Perëndimi po e fsheh dhunën e Kurtit ndaj serbëve

Përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po e fshehin “dhunën e kryeministrit Albin Kurti ndaj komunitetit serb në Kosovë”.

Ai ka thënë se situata e sigurisë nuk është stabile, duke theksuar se serbët po ikin nga Kosova për shkak të kësaj.

“Situata në Kosovë na shqetëson, e kjo vlerësohet nga pjesëmarrja e kryetarit të Serbisë që bëhet më e vështire për Perëndimin të fshehë dhunën e motivuar nga i ashtuquajturi kryeministri Albin Kurti. Vetëm një pakicë e atyre që kanë ikur janë kthyer pasi nuk është e sigurt situata në Kosovë. Prishtina po i ikën dialogut e këtë do ta vazhdojë derisa ta njohë Serbia shtetësinë e rreme”, ka shtuar ai.


Franca kërkon dorëheqjen e kryetarëve në veri

Përfaqësuesi i Francës në Këshill të Sigurimit ka kërkuar që kryetarët e komunave veriore në Kosovë të dorëhiqen, pasi sipas tij, kjo i hapë rrugë zgjidhjes dhe deeskalimit.

Ai ka thënë se palët duhet t’i vazhdojnë diskutimet për gjetjen e zgjidhjes “nëpërmjet ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian”.

“Është qenësor që ata që kanë kryer sulm në Banjskë të mbahen përgjegjës. Franca do të vazhdojë të vëzhgojë nga afër këtë”, është shprehur përfaqësuesi i Francës.


Vuçiq: Serbët në Kosovë po diskriminohen nga regjimi i Kurtit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është ankuar në Këshillin e Sigurimit se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po i shkakton regjim komunitetit serb në Kosovë, duke u shprehur se këto veprime të Kurtit “po shpërblehen nga bashkësia ndërkombëtare”.

Ai ka deklaruar të hënën se serbëve po iu mohohen të drejtat nga Kurti për një agjendë “drejt Shqipërisë së Madhe”.

“Komuniteti serb s’është në gjendje t’i pranojë pagat, mëditjet e pensionet... shtypja ndaj serbëve është përforcuar nga sesioni i fundit. 16 sulme të fundit, disa me armë në Graçanicë...”, ka deklaruar presidenti serb.

Sipas tij, serbët në Kosovë po diskriminohen.

“Të punësuarit (serbë) në institucione po përballen me regjimin e Albin Kurtit, diskriminim i shkallës së lartë. E kjo për arsyet se s’janë shqiptarë e s’janë të përfshirë në një agjendë për Shqipërinë e madhe”, ka shtuar ai.

Presidenti Vuçiq ka deklaruar se me mbajtjen e procesit të votimit në veri, "serbët lokalë pësuan dhunë fizike nga autoritetet policore".

Sipas tij, të drejtat e serbëve po rrezikohen.

“Ka pasur dhunë brutale ndaj serbëve që u terrorizuan nga forcat policore e u morën vendime kundër interesave të serbëve. Prishtina po vazhdon me okupimin e veriut, ishte premtuar që të kishte udhëheqës legjitimë...Prishtina rriti numrin e votuesve të regjistruar kur aty po iket nga represioni...Mbi 2 mijë votues janë shtuar në veri e numri është rritur artificialisht”, ka deklaruar Vuçiq.

Vuçiqi tha se e dënon sulmin në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku në shtator të vitit të kaluar.

Ai ka thënë se Beogradi është i interesuar për dialog “si rrugë e vetme në gjetjen e zgjidhjes për ndaljen e dhunës ndaj komunitetit serb në Kosovë”.

“Jemi të përkushtuar për dialog e kemi bërë kompromise të dhimbshme që serbët në Kosovë të kenë paqe. Ka persekutim të hapur për vite, e për 11 vjet Prishtina refuzon të zbatojë themelimin e një asociacioni siç jemi marrë vesh, si mekanizëm për ruajtjen e të drejtave të serbëve”, ka shtuar ai.