Arbëri

Dështon nisma për shkarkim të kryetarëve në komunat veriore

Vendvotim në veri / Foto: Driton Paçarada - KOHA

Vendvotim në veri / Foto: Driton Paçarada - KOHA

Foto: Driton Paçarada

Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut, Lulzim Hetemi në Leposaviq, Izmir Zeqiri në Zubin-Potok e Ilir Peci në Zveçan do të vazhdojnë të ushtrojnë mandatin e tyre së paku edhe një vit. Nisma e qytetarëve serbë në këto katër komuna për t’i shkarkuar ata, ka dështuar të dielën. Në të katër komunat morën pjesë vetëm 253 qytetarë

 Nisma e qytetarëve serbë në komunat veriore për shkarkim të kryetarëve ka dështuar të dielën.

Për shkarkim nevojitej vota pro e 50 për qind e trupës elektorale të një komune, plus një votë, por në fund të ditës mezi u mblodhën 250 vota në të katër komunat.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në Mitrovicë të Veriut kanë votuar 111 persona me të drejtë vote, në Leposaviq 124, në Zubin-Potok 18 dhe në Zveçan asnjë.

Gjithsej në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok të drejtë vote patën mbi 46 qytetarë.

Nisma për shkarkim të kryetarëve që vijnë nga radhët e partive shqiptare është shpallur e dështuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces ju njoftojmë se nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale në Republikën e Kosovës, pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin-otok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përkundër sfidave, është angazhuar maksimalisht dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të organizuar procesin e votimit në këto komuna, duke dëshmuar përkushtimin e madh që qytetarëve t’iu mundësojë realizimin e të drejtës së tyre demokratike dhe ligjore”, ka deklaruar kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në një konferencë për media pas mbylljes së vendvotimeve.

Në të katër komunat, të dielën ishin 23 qendra të votimit. Shumë prej tyre ishin të improvizuara në hapësira publike e në kontejnerë, pasi strukturat ilegale nuk lejuan hapjen e shkollave që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

Serbët në shumicë bojkotuan këtë votim, e të cilin e iniciuan vetë me peticionin e realizuar në janar të këtij viti. Thirrjes së Listës Serbe për të bojkotuar votimin për shkarkim, qytetarët serbë iu bindën.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova ua dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t'i largojnë kryetarët aktualë dhe t'i zgjedhin të rinjtë.

Dhe, sipas saj, procesi u bojkotua për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale.

Ka shtuar se edhe një herë Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër dhe se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë.

“Por Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t'i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë, si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin. Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, ka shkruar ajo.

Nëse në votimin e së dielës do të votohej në shumicë pro shkarkimit, atëherë hapi i radhës do të ishte organizimi i zgjedhjeve në këto komuna.

Sipas udhëzimit administrativ, pas dështimit, një proces i tillë mund të realizohet vetëm pas një viti.

Votimi në Mitrovicë të Veriut e Zveçan

Në të katër komunat pati pak votues, por Zveçani ishte krejt ndryshe. Në këtë komunë të dielën nuk votoi asnjë votues.

Votimi në këtë komunë është organizuar në objektin komunal, në të cilin që nga zgjedhja nuk ka shkelur kryetari Ilir Peci.

Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e vëzhguesit kanë qenë ata që kanë mbushur 23 hapësirat e vëna në dispozicion për të votuar.

Kutitë e votimit, në pothuajse secilin vendvotim ishin të zbrazëta. Njëlloj ishte edhe në Banjskë të Zveçanit.

Në fshatin, që shtatë muaj më parë u vra rreshteri Afrim Bunjaku, po ashtu nuk pati asnjë të interesuar për të votuar.

E numër simbolik i qytetarëve, shqiptarë e boshnjakë, votuan në Mitrovicë të Veriut.

Salla në të cilën një vit më parë Erden Atiq u betua si kryetar i Mitrovicës së Veriut, të dielën u shndërrua në vendvotim për qytetarët e kësaj komune, të cilët patën mundësinë që të vendosin nëse duan apo jo që Atiq të vazhdojë punën. Por, interesimi për të marrë pjesë në këtë proces ishte i ulët. Dhe Atiq do ta vazhdojë punën si kryetar.

Mospjesëmarrja e qytetarëve në votim, sipas atyre që përcollën këtë proces, konfirmon bojkotin e paralajmëruar.

“Pak të interesuar ka nga etnitë tjera. Duke marrë parasysh se në këtë qendër janë 1740 votues, dhe duke pasur parasysh herët e kaluara, mund të themi se po ndodh bojkot”, ka thënë Gentrit Rushiti, komisioner në Mitrovicë të Veriut.

Afër secilës qendër të votimit u panë zyrtarë të Policisë së Kosovës. Sipas zv. drejtorit Veton Elshani, gjatë ditës nuk është shënuar asnjë incident.

“Ne kemi një numër minimal të policëve të përdorur për qendrat e votimit. Nëpër rrugët e veriut është ai numri që ka qenë zakonisht, mirëpo kemi numër të mjaftueshëm të policëve në rast se do të vinte deri të ndonjë prishje e rendit ose e qetësisë publike ose te ndonjë destabilizim”, ka thënë Elshani.

Karakteristikë e këtij procesi, mes të tjerash, ishte vëzhgimi me kamera. Ato janë hasur në secilin vendvotim në Mitrovicë të Veriut e në Zveçan.

Si rrjedhojë e xhirimit, për dallim nga proceset e tjera zgjedhore, kabinat e votimit ishin të vendosura në anën e kundërt.

Me pjesëmarrjen e qytetarëve në ditën e votimit, procesi për largimin apo jo të kryetarëve konsiderohet i dështuar. Në mënyrë që ai të kishte sukses, për njërën nga opsionet do të duhej të votonin 50 për qind, plus një votues.

Votimi në Leposaviq

Ujë ka pikuar prej tavanit të qendrës së votimit në Koshtovë në ditën kur është votuar për shkarkimin e kryetarit të Leposaviqit. Nisma dështoi dhe Lulzim Hetemi do të vazhdojë ta qeverisë këtë komunë.

Procesi u karakterizua edhe me mungesë të kushteve për komisionarët, që ngroheshin nga një zjarr me dru e gjeneratori ishte për ta mbajtur ndezur kamerën e sigurisë, që është standard i ri me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për zgjedhjet, nuk punoi.

Albert Bekteshi, kryesues i qendrës së votimit në Kushtovë ka thënë se i ka përcjellë shqetësimet e tij në KQZ, por se nuk i kanë bërë zgjidhje për krejt çfarë kanë kërkuar.

“Për energjinë elektrike na janë përgjigjur, na e kanë sjellë një gjenerator, mirëpo pas një ore punë ai u fik dhe nuk është ndezur më. I kemi lajmëruar organet përkatëse, nuk kemi marrë përgjigje”, ka thënë Bekteshi.

Në kushte shumë më të rehatshme kanë qenë pak kilometra më larg komisionerët në fshatin Bistricë të Shalës, vendlindjen e Lulzim Hetemit. Por ngjashëm, votuesit shqiptarë pakicë në këtë komunë, nuk votuan.

Edhe në Dren në veri të Leposaviqit, fshat i banuar me serbë, ku si qendër e votimit u shfrytëzua objekti i ish-ndërmarrjes “Univerzal”, pati ankesa.

Afrim Krasniqi, kryesues i qendrës së votimit në Dren, ka thënë se në këtë objekt që nuk është shfrytëzuar për vite të tëra ishte i ftohtë dhe pa energji elektrike.

“Rrymë nuk ka, objekti është i Komunës, është i pashfrytëzuar, kështu që e kanë adaptuar sa për zgjedhje, kurse kamerat po, me gjenerator e kemi kamerën dhe është funksionale”, ka thënë Krasniqi.

Në vendvotimin në fshatin e tij, Soçanicë, votoi zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq.

Para se të shkonte për të votuar ai u ndal të bisedonte me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili pati kritika për Listën Serbe.

“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëse të rezervuara për komunitetin serb në Kuvend dhe mos t’i përfaqësojnë interes të qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit”, ka thënë ministri Krasniqi.

Ai tha, po ashtu, se Qeveria i ka përmbushur obligimet e saj sa i përket mundësimit të shkarkimit të kryetarëve me peticion qytetar.

“Udhëzimi Administrativ e ka hapur mundësinë që përmes peticionit të parashtrohet me 20 për qind të votuesve të një qyteti ku ata e kanë iniciuar këtë peticion. Detyrë e jona ka qenë ta bëjmë këtë mundësi që qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre. Detyrë e shtetit ka qenë edhe organizimi i procesit, pjesa tjetër u mbetet qytetarëve”, ka shtuar ai.

Anëtari i Komisionit komunal zgjedhor nga Komuna e Leposaviqit, Lutfi Hasani, i cili ka qenë i përfshirë në proceset zgjedhore që nga viti 2013, ka thënë se fillimisht drejtorët e shkollave ishin zotuar se do t’i hapnin shkollat për të shërbyer si qendra votimi, mirëpo më pas nuk e mbajtën fjalën. Improvizimi, sipas tij, ka shkaktuar problemet, siç ka qenë furnizimi me material.

“Është dashur të merren zyrat komunale me i improvizu si qendra votimi për shkak të pamundësive, mosfunksionimit të qendrave në nivel komunal që i kishim më herët. Vlen të ceket se stafi janë në qendra vendvotimi dhe këto qendra janë të hapura e votuesit janë të mirëseardhur të kryejnë obligimin. Në vonesa kanë ndikuar disa faktorë, një prej kryesorëve ka qenë se s’kemi pasur vendimin e sistemit të materialit”, ka thënë Hasani.

Rreth gjysma e votave në nivel të Leposaviqit, u vendosën në kutitë e objektit kryesor të Komunës prej pjesëtarëve të komunitetit serb.

Aty disa vendvotime u hapën me rreth 20 minuta vonesë, e zyrtarët e komisionit komunal zgjedhor i arsyetuan vonesat edhe me shtrirjen e gjerë territoriale të kësaj komune.

Votimi në Zubin-Potok

Qendra e votimit për rreth 400 banorët me të drejtë vote të fshatrave Crepulë dhe Ceceva në Komunën e Zubin-Potokut nuk pati ndriçim e as ngrohje të dielën.

Në mungesë të një objekti publik, qendër e votimit u bë një kontejner. Gjeneratori punoi vetëm sa për ta mbajtur ndezur kamerën e vëzhgimit për procesin e votimit. E reshjet e dendura të borës nuk u ndalen të dielën në Zubin-Potok.

Në temperaturë të ulët, komisionerët e kësaj qendre ngroheshin në një veturë. E interesim të banorëve të kësaj pjese nuk pati për të shfrytëzuar të drejtën ligjore për të treguar qëndrimin e tyre nëse pajtoheshin apo jo që Izmir Zeqiri të largohet nga funksioni i pozitës së kryetarit të Komunës së Zubin Potokut.

Në Komunën e Zubin-Potokut ishin paraparë të hapeshin 14 qendra të vendvotimit, por ato u fuzionuan në pesë sosh, për shkak të kundërshtimit të institucioneve arsimore që funksionojnë në kuadër të sistemit paralel serb, për t’i lëshuar hapësirat për shfrytëzim.

Vetëm dy nga to u hapën në objekte publike, e tri të tjera u improvizuan në kontejnerë.

Qendra më e madhe e votimit u hap në objektin komunal. Gjithsej 7 vendvotime.

Një qytetare serbe që e shfrytëzoi të drejtën e votës, ka thënë se është kundër shkarkimit të kryetarit Izmir Zeqiri.

“Jam kundër shkarkimit të kryetarit. Ka punuar mirë. Duhet të shfrytëzojnë votën të gjithë”, ka thënë ajo.

E një sërë projektesh të tjera ka premtuar kryetari i kësaj komune, Zeqiri.

Procesi nuk u përcoll me incidente. Prania e pjesëtarëve të policisë ishte në çdo qendër të votimit, si dhe në rrugët që çonin deri tek ato.

Kryesuesi i Komisionit komunal zgjedhor, Agim Kastrati, deklaroi se u ndien të sigurt në implementimin e këtij procesi.

Të drejtë vote në këtë komunë kanë pasur 6877 qytetarë.

Ky votim për shkarkim pasoi peticionin e iniciuar në janar nga qytetarët serbë në këto katër komuna. Dhe meqë nisma ka dështuar, atëherë një proces i ri, duke  nisur nga peticioni, mund të përsëritet vetëm pas një viti.

Vitin e ardhshëm, në vjeshtë, po ashtu janë edhe zgjedhjet e rregullta komunale.

(Autorë të tekstit: Valbona Bytyqi, Majlinda Ibrahimi, Ardit Kika dhe Rinesa Qorri)