James O'Brien

Washingtoni pret nga Kosova themelimin e Asociacionit

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, i ka kërkuar sërish Kosovës themelimin e Asociacionin të komunave me shumicë serbe. Ai nga Beogradi ka thënë se Uashingtoni pret nga Kosova që ta përmbushë premtimin e saj. E presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka thënë se është falënderues ndaj O’Brienit për qëndrimin e tij të qartë se është skajshmërisht e nevojshme që Kosova të përmbushë obligimin e saj. Megjithatë, ai ka theksuar se Serbia dhe Amerika në shumçka nuk pajtohen

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, ka thënë se Uashingtoni pret nga Kosova që ta përmbush premtimin e saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një konferencë për media të shtunën në Beograd, O’Brien ka theksuar se Asociacioni është i rëndësishëm për serbët në Kosovë në mënyrë që ata të kuptojnë se si do të duket jeta e tyre.

“Kosova ka premtuar se do ta përmbushë obligimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kjo gjë është me rëndësi kyç për serbët. Nëse ekziston shqetësimi se bashkësia ndërkombëtare nuk po i përmbushë obligimet e veta, shpresoj se do të punojmë në drejtimin që të përmbushim atë që premtuam dhe të ndihmojmë”, ka deklaruar James O’Brien.

E, Aleksandar Vuçiq ka thënë se është falënderues ndaj O’Brienit për qëndrimin e tij të qartë se është skajshmërisht e nevojshme që Kosova (Prishtina) të përmbushë obligimin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ky obligim është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Tash e 11 vjet është një shkronjë e vdekur në letër. Na gënjejnë të gjithë së bashku - Prishtina dhe evropianët. Mbase edhe askush nuk na gënjen, por pas 4 mijë ditësh nuk kanë bërë gjë për dallim prej serbëve të cilët i kanë bërë të gjitha nga marrëveshja e Brukselit, e edhe gjëra të caktuara nga Ohri”, është shprehur Vuçiqi. 

Presidenti serb është shprehur se në tryezë ndodhen tema jashtëzakonisht të vështira për Serbisë, duke theksuar se për çështjen e Kosovës, Serbia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në pakçka pajtohen. 

“Kam thënë ne jemi të vegjël, se Amerika është superfuqi, por ne do ta kundërshtojmë, për aq sa të mundemi, këtë dhunë si ndaj shtetit serb ashtu edhe popullit, dhe do të luftojmë. Nëse humbim, humbim, çfarë të bëjmë”, ka thënë ai.

Duke folur për rezolutën që pritet të miratohet në Kombet e Bashkuara për Srebrenicën, O’Brien tha se qëllimi është që të ketë partneritet me Serbinë dhe këdo tjetër, për t’u përballur me të vërtetën.

Zyrtari amerikan tha se ka qenë avokat që ka punuar në hetimin e krimeve të luftës dhe ka qenë pjesë e ekipit të parë që ka hetuar vrasjet në Srebrenicë.

“Atëbotë, forcat e Qeverisë së Serbisë na garantuan ne sigurinë dhe më pas me ne ishin edhe përfaqësuesit e OKB-së teksa ne po kryenim punën për të vërtetën. Edhe sot e kësaj dite po e bëjmë këtë, dhe ne duhet të përballemi me të vërtetën. Ne ishim partnerë atëherë dhe duhet të jemi partnerë edhe tani”, tha ai.

Nismëtarët e rezolutës së Srebrenicës janë Gjermania dhe Ruanada. SHBA-ja, Franca dhe shtetet e tjera më pas iu bashkuan këtyre dy shteteve si sponsorizues të rezolutës.

Pritet që rezoluta finale të paraqitet në fillim të majit.

Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, zyrtarët në Beograd mohojnë se në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës është kryer gjenocid. Në Srebrenicë u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë.