Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Sonja Biserko, ka thënë se momentalisht Perëndimi e ka prioritet sigurinë dhe jo demokracinë në Ballkanin Perëndimor, duke e akuzuar atë se nuk e kupton rolin e Serbisë dhe të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.
Biserko ka thënë se Serbia ka luajtur rol destabilizues në konsolidimin e disa vendeve, në veçanti të Bosnjës dhe Kosovës, e tani edhe të Malit të Zi.
“Shpresoj se konflikti nuk do të jetë dhe nuk është zgjidhja. Pa dyshim se pa u pacifikuar Serbia nga politikat e saj nacionaliste, nuk mendoj se rajoni mundet lehtë të rifillojë demokratizimin, progresin dhe integrimin drejt BE-së. Gjitha këto vende janë përballur me një tranzicion të vështirë, shumë shpesh me regjime të kriminalizuara. Në anën tjetër Serbia ka luajtur një rol destabilizues në konsolidimin e këtyre shteteve në veçanti në Bosnjë dhe në Kosovë. Tani edhe në Malin e Zi. Dhe ky është një front i ri që po kalon pa ndonjë vështrim të kujdesshëm nga Perëndimi. S’jam fort e sigurt që ata po e kuptojnë rolin e Serbisë dhe të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Në këtë moment, komuniteti perëndimor e ka prioritet sigurinë, jo demokracinë në këto vende. Dhe dukshëm nuk është edhe në gjendje ta bëjë këtë sepse ka shumë fronte të luftës”, ka thënë ajo.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi ka thënë se 80 për qind e njerëzve në këtë vend janë në favor të luftës së Rusisë në Ukrainë, teksa fëmijët e tyre masivisht ikin për të jetuar në perëndim.
“Prandaj është kjo një skizofreni që është krijuar nga politikat mediale, e kështu që pa ndryshuar politikat për mediat, pa ndryshuar kulturën, arsimin nuk është e mundur për të ndryshuar këtë realitet të kontaminuar në Serbi. Por deri më tash, Vuçiqi nuk ka treguar asnjë qëllim për të ndryshuar median. Ai po e përdorë median për mbijetesën e tij politike. Siç e dini, ai pothuajse humbi zgjedhje në Beograd, në dhjetor dhe tash ato do të mbahen në qershor apo se di se kur saktësisht do të mbahen. Sidoqoftë, Serbia është kritikuar nga Bashkimi Evropian për zgjedhjet, Serbia ka marrë rekomandime nga ODHIR se çfarë duhet të bëjë për të përmirësuar procedura ligjore për zgjedhje”, ka shtuar ajo.
Biserko tutje ka thënë se Serbia pa ndihmën e Rusisë nuk do të mund të sillet në këtë mënyrë siç bën në dekadën e fundit.
“Mendoj se fillimisht duhet neutralizim i politikave dhe prezencës ruse këtu sepse Serbia pa ndihmën e Rusisë nuk do të ishte në gjendje të sillej ashtu siç është sjellë në këto 10 vjetët e fundit. Në fillim të 2000 trendi ishte ndryshe. Lidhjet historike me Rusinë ekzistojnë. Janë edhe çështje të Kishës ortodokse, lidhjeve e emocioneve, por në anën tjetër çfarë i lidh këto dy kombe është vlerat dhe ndjenjat kundërperëndimore, autoritarizmi dhe shoqëria serbe nuk duket e gatshme për të përqafuar vlerat evropiane në këtë moment”, ka thënë Biserko.
