Arbëri

Mblidhen institucionet e drejtësisë pas vrasjes të dy grave për pesë ditë

Vrasje në Pejë - institucionet

Foto: Driton Paçarada

14:30 – Nis takimi

Ka nisur takimi mes institucioneve të drejtësisë pas vrasjes së dy grave pë pesë ditë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njëherit Koordinatore Kombëtare për Mbrojtjes nga Dhuna në Familje, ka ftuar takimin dhe do të mbajë konferencë për media në orën 15:30.

Të martën në Pejë një grua u vra e i dyshuar është bashkëshorti i saj. Rasti ndodhi katër ditë pasi një grua u vra në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, nga ish-bashkëshorti i saj.

“Në mëngjesin e sotëm edhe një grua u vra nga burri në Pejë, vetëm 4 ditë nga vrasja e një gruaje po ashtu nga burri në Ferizaj. Kjo është shumë e rëndë. Është tronditëse. Është dhimbje e madhe. Është e patolerueshme. Për këtë gjë sot kam ftuar në takim ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, u.d Kryeprokurorin dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës dhe po ashtu në një takim tjetër edhe mbledhjen e grupit ndërministror. Nuk ka rrugë tjetër pos si institucione të Republikës së Kosovës të luftojmë pa kompromis këto fenomene”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo ka thënë se në shumë raste dhunuesit janë bërë vrasës pikërisht për shkak të mosndëshkimit adekuat.

“Vrasjet ndaj grave në Republikën e Kosovës janë bërë fenomen që tejkalon çdo shqetësim. Nuk mund të presim emancipimin e askujt derisa të bëhen të vetëdijshëm për barazinë mes burrit dhe gruas. Asnjë qytetar nuk është mbi dikë tjetër, askush nuk është pronë e askujt. Gruaja dhe burri janë të barabartë. Dhe si shtet nuk do të tolerojmë asnjë lloj dhune të burrit ndaj gruas”, ka përfunduar Haxhiu.