Shkarkimi i kryetarëve

KQZ-së i pamundësohet organizimi i votimit të 21 prillit në objektet shkollore

Alternativë tjetër për të organizuar votimin për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri të vendit do t’i duhet KQZ-së. Ky institucion ka pranuar informacione se nuk do të lejohet përdorimi i objekteve shkollore në veri, që funksionojnë në kuadër të strukturave paralele

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë shkuar mesazhe se objektet shkollore në komunat në veri nuk do të jenë në dispozicion më 21 prill,  kur do të mbahet votimi për shkarkim të kryetarëve.

Burime brenda KQZ-së thanë se është duke u bërë presion që të ndryshohet vendimi për shfrytëzimin e këtyre objekteve si qendra votimi.

KOHA ka mësuar se në lidhje me mundësitë e shfrytëzimit të shkollave si qendra votimi më 21 prill, KQZ-ja u ka shkruar kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit.

Objektet shkollore në katër komunat e Kosovës nuk janë të menaxhuara nga institucionet shtetërore, pasi funksionojnë nën direktiva të strukturave ilegale.

I kontaktuar nga KOHA për këtë çështje, kryetari i Komunës së Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se që nga fillimi objektet publike janë në dispozicion të KQZ-së. Pas kësaj ai ka përmendur lejen që ia kanë dhënë KQZ-së për shfrytëzimin e njërës prej sallave të zyrës alternative të Komunës së Zubin-Potokut.

KOHA ka provuar të marrë konfirmim edhe nga kryetarët e tri komunave të tjera në veri, por ata kanë qenë të paqasshëm deri në publikimin e artikullit.

E, komisionet komunale zgjedhore përfundimisht kanë mbetur pa anëtarë të Listës Serbe, pas dorëheqjes së tyre në fillim të kësaj jave.

KOHA ka mësuar se Lista Serbe nuk ka shfrytëzuar mundësinë e dhënë nga KQZ-ja që deri të enjten, në orën 16:00, të zëvendësojë anëtarët e dorëhequr. 

Dorëheqjet e anëtarëve të Listës Serbe nga KKZ-të erdhën pas paralajmërimeve për bojkot të procesit të votimit që do të mbahet më 21 prill.

Thirrje për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në këtë proces të enjten ka bërë edhe kryesuesi i OSBE-së, Ian Borg.