Publikohet video

Sveçla për incidentin në Leposaviq: Vendosjes së eksplozivit i ka kaluar koha

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se veprimeve kriminale nga bandat në veri u ka kaluar koha dhe se tani, sipas tij, po funksionon shteti ligjor.

Sveçla të martën ka publikuar një video ku nën një veturë në Leposaviq është vendosur eksplozivi. Policia më herët ka konfirmuar se ka arritur ta largojë eksplozivin pa e shpërthyer nga vendngjarja, me ndihmën e KFOR-it.

Sipas ministrit të Brendshëm, Serbia po kthehet tek aktet e dhunës pasi ka humbur betejat politike.

“Kur Serbia humbet betejat politike, në mungesë argumentesh kthehet te retorika luftnxitëse dhe aktet e dhunës deri në terrorizëm. Tendenca për kontrollin e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë vazhdon, por çdo ditë me më pak sukses. Zërat kundërshtarë në radhët e komunitetit po shtohen çdo ditë, për të çliruar qytetarët nga gangsterët dhe kuazi politikanët pro Serbi”, ka shkruar ai në Facebook.

Sveçla ka shkruar se shteti ligjor tash është i shtrirë në të gjithë territorin e Kosovës.

“Kërcënimeve, djegies së pronave, vendosjes së eksplozivit dhe rrezikimit të jetës por dhe shtypjes së atyre që mendojnë drejtë e ndryshe, i ka kaluar koha. Tani, shteti ligjor është shtrirë në të gjithë territorin e Republikës sonë. Siguri, drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë pa dallim dhe llogaridhënie për shkelësit e ligjit”, ka shkruar tutje Sveçla.