Presidentja Vjosa Osmani ka adresuar akuza ndaj presidentit të Serbisë se po u bën presion serbëve të Kosovës për të mos marrë pjesë në votimin lidhur me mandatin e kryetarëve të katër komunave veriore. Ajo ka thënë se Vuçiqi po e dëshmon se nuk është për paqe, por rrugën që e ka zgjedhur ai është dhuna
Presidentja Vjosa Osmani e ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se qëndron prapa presionit që po u bëhet serbëve të Kosovës për të mos marrë pjesë në votimin e 21 prillit lidhur me shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore.
Pas manifestimit “Ditët e shqipes” në Koshare, të martën, ajo ka thënë se institucionet e Kosovës i kanë ndërmarrë të gjithë hapat që serbëve t’u ofrohet e drejta e votimit.
“Natyrisht Kushtetuta jonë dhe ligjet tona kanë krijuar bazën ligjore se bashku me një udhëzim administrative të nxjerrë nga Ministria përkatëse që qytetarët e komunave tona të kenë të drejtë të fillojnë procedurat për largimin e kryetarëve. Republika e Kosovës në bashkëpunim me aleatët kanë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohet kjo e drejtë, të mos u cenohet në asnjë moment kjo e drejtë dhe ata ta realizojnë këtë të drejtë të lirë dhe pa presione”, ka thënë Osmani pas manifestimit “Ditët e Shqipes”, që është organizuar për të shënuar përvjetorin e Betejës së Kosharës.
Osmani ka theksuar se është Vuçiqi ai i cili nuk po e mban fjalën e dhënë edhe para presidentëve të Gjermanisë e Francës për të mos u bërë presion serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje.
“Për fat të keq edhe kësaj radhe është Aleksandër Vuçiq ai që nuk e mban fjalën që e ka dhënë para aleatëve edhe në takime ku kanë qenë prezentë kancelari Scholc dhe presidenti Macron, por edhe në takime të tjera ku ai kishte garantuar që nuk do të bëjë presion të paligjshëm ndaj serbëve që të mos marrin pjesë në një proces të tillë. Për fat të keq edhe njëherë po e dëshmon këtë lloj presioni të paligjshëm, të cilin e realizon nëpërmjet Listës Serbe dhe unë besoj që aleatët tanë janë duke parë me kujdes se si Serbia edhe një herë po ua mohon serbëve të Kosovës një të drejtë të cilën ata do të mund ta realizonin në përputhje me ligjet dhe në përputhje me rregullativën tonë”, ka theksuar presidentja e Kosovës.
Ajo ka thënë gjithashtu se Vuçiqi po e dëshmon edhe një herë që nuk është për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet, por përkundrazi është vetëm për dhunë, të cilën, sipas saj e ka zgjedhur si metodë për zgjidhjen e problemeve.
“Ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë t’i mbrojmë të drejtat e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, jemi të përkushtuar që serbët që jetojnë në Kosovë të shfrytëzojnë të drejtat që atyre ua jep Kushtetuta, por për fat të keq disa prej tyre po lejojnë që të mbahen peng nga ana e Vuçiqit. Dua në veçanti t’iu bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, aleatëve tanë që të jenë shumë të zëshëm për të kundërshtuar këtë presion të paligjshëm ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë dhe po ashtu ta ndëshkojnë Vuçiqin i cili për saten herë nuk e mban fjalën që e ka dhënë para tyre që nuk do të ndërhyjë, siç e thashë në kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe normat e së drejtës, sepse është shtet tjetër dhe nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në procese zgjedhore të cilat mbahen në Kosovë”, ka deklaruar presidentja Osmani. “Por, po dëshmon edhe një herë që e vetmja gjë që Vuçiqi u jep serbëve të Kosovës është dhuna dhe asgjë tjetër gjë të cilën e ka realizuar nëpërmjet strukturave ilegale, kriminale të udhëhequra nga kriminel si Radoiçiqi”.
Ajo ka mohuar akuzat e Listës Serbe që komunitetit serb po i bëhet presion nga institucionet kosovare.
“Këto janë akuza false të cilat kanë për qëllim që të mbulojnë një presion të jashtëligjshëm që Vuçiq po e realizon nëpërmjet Listës Serbe në Kosovë. Asnjë presion të vetëm institucionet e Kosovës nuk ua kanë bërë serbëve. Përkundër institucionet e Kosovës kanë bërë gjithçka që të miratohen edhe udhëzimet e reja administrative, në mënyrë që qytetarët e veriut të kenë të drejtë të realizojnë mënyrën e largimit të kryetarëve para përfundim të mandatit të tyre”, është shprehur Osmani. “Pra, nuk ka asnjë presion, dhe mos të harrojmë që zgjedhjet nuk i organizon kryeministri, por zgjedhjet i organizon KQZ-ja ku edhe Lista Serbe ka përfaqësues, ku janë të përfaqësuara të gjitha partitë politike dhe është organ i pavarur i cili në asnjë mënyre nuk ka ndërmarrë as një veprim që do t’ua cenonte këtë të drejtë serbëve, por ka ndërmarrë çdo veprim që ata ta realizojnë këtë të drejtë. Pra, është një shpifje në radhën e shpifjeve të shumta, të cilat burimin e kanë në Serbi, në zyrën e Vuçiqit”.
Ditë më parë, Lista Serbe njoftoi se qëndrim i saj është të mos dilet në votimin e 21 prillit për shkarkim të kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan. Kjo parti ka tërhequr anëtarët e saj nga komisionet komunale zgjedhore, gjë që është dënuar si akt nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Peticionin për këtë votim e kanë iniciuar vetë serbët me përkrahjen e Listës Serbe.
Për shkarkim të kryetarëve nevojitet vota pro e 50 për qind të trupës elektorale, plus një votues në komunën përkatëse.