Mbledhja e KQZ-së

Listës Serbe dhe partisë së Rashiqit u jepet afat të plotësojnë vendet në KKZ

KQZ

Pas dorëheqjes, edhe një mundësi për të qenë pjesë e komisioneve komunale zgjedhore e kanë Lista Serbe dhe Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. KQZ-ja të martën vendosi që të dy subjekteve politike t’u japë kohë deri më 11 prill që të zëvendësojnë anëtarët e dorëhequr këtë fillimjavë. Nëse ky afat nuk shfrytëzohet, nga anëtarët u përmend mundësia që vendet bosh të mbushen me anëtarë të shoqërisë civile

Tri ditë kohë i është dhënë Listës Serbe që të plotësojë vendet e lëna bosh në komisionet komunale zgjedhore në katër komunat në veri. Pas njoftimit për bojkot, nga KKZ-të në veri dorëheqje dhanë edhe anëtarët e saj, e që të hënën iu bashkuan me dorëheqje edhe anëtarët e partisë së ministrit Nenad Rashiq, ata nga Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (GI SPO). 

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se më 7 dhe 8 prill janë njoftuar për dorëheqjet e përfaqësuesve të të dyja subjekteve nga zyrtarët e KKZ-ve.

“Lidhur me këtë Sekretariati ua ka dërguar shkresën dy subjekteve për zëvendësimin e anëtarëve të KKZ-ve në këto komuna. Shkresa është dërguar sot dhe afati për zëvendësimin është 11 prill”, ka thënë ai të martën.

Kërkesa drejtuar Listës Serbe u konsiderua paradoks nga anëtari i VV-së, Sami Kurteshi, por që me të nuk u pajtua kolegu i tij, Alban Krasniqi.

Kurteshi u shpreh se Lista Serbe publikisht ka njoftuar për tërheqjen nga procesi. “Partia politike Lista Serbe është tërhequr nga procesi i votimit. A ka marrë KQZ-ja ndonjë njoftim zyrtar apo (Lista Serbe) veç e kanë mbajtur një konferencë për Këshillin e Sigurimit, me njoftu Këshillin e Sigurimit se na po dojmë me bo probleme në Kosovë”, ka thënë ai. 

E, Ibrahim Selmanaj, anëtar i AAK-së në KQZ, kërkoi të dihet se si do të veprohet nëse edhe pas 11 prillit Lista Serbe nuk do të dërgojë përfaqësuesit e saj në komisionet komunale zgjedhore. 

“A kemi model qysh dojmë me i organizu pasi t`i skadojë afati, data 11. Cili duhet me qenë veprimi që me funksionalizu punën tone?”, ka pyetur ai.

Por, Krasniqi u shpreh se një gjë e tillë nuk ndikon në funksionimin e komisioneve komunale dhe se për KQZ-në të vlefshme janë njoftimet zyrtare e jo përmes konferencave, siç i përmendi Kurteshi.

“KQZ-ja nuk vepron bazuar në deklarata publike që i bën dikush, por vepron bazuar në  komunikimin zyrtar që e ka me palët, në këtë rast me subjekte politike. Afati u tha që është deri më 11 prill dhe pas kësaj date KKZ-të janë funksionale. Është në domenin e KKZ-së dhe KQZ-së që nëse shohim mundësinë që të përfshijmë edhe anëtarë nga shoqëria civile në KKZ kjo mund të ndodhë, por pa e tejkaluar numrin”, ka thënë ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar edhe procedurën e përdorimit të kamerave në vendvotime. Është thënë se ato do të vendosen në anën e kundërt të kabinave të votimit, nuk do të regjistrohet zëri e as nuk do të shfaqet ora e xhirimit, si dhe materiali do të asgjësohet në të njëjtën kohë me fletëvotimet.

Arianit Elshani, nga radhët e PDK-së, ka thënë se kamerat në vendvotime do të vendosen sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi.

“Ato do të vendosen në anën e kundërt të kabinave të votimit nuk do të cenohet asnjëherë  fshehtësia e votës së votuesve por do të monitorohet i gjithë aktiviteti që do të zhvillohet nga anëtarët e Këshillit të vendvotimit në këtë rast nga komisionerët dhe vëzhguesit në vendvotim”, ka thënë ai. “Asnjëherë kjo nuk do të përdoret për qëllim të monitorimit  nga anëtarët e KQZ-së apo vetë KQZ-ja për mbarëvajtjen në një proces të votimit të vendvotim, por do të përdoret vetëm në rast se ka ankesa që shqyrtohen dhe për të evidentuar ato rastet ku dikush ankohet për një keqpërdorim të votës brenda vendvotimit”.

Anëtarët e Komisionit Qendror janë njoftuar edhe për listën e votuesve në katër komunat në veri. Sipas raportit, në Leposaviq të drejtë vote kanë 13 mijë e 674 qytetarë, në Zubin-Potok 6 mijë e 877, në Zveçan 7 mijë e 209 qytetarë dhe në Mitrovicë të Veriut 18 mijë e 796 qytetarë. 
Procesi i votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut do të zhvillohet në 43 qendra votimi, në gjithsej 73 vendvotime, më 21 prill.