Anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore (KKZ) në veri nga Lista Serbe kanë dhënë dorëheqje të hënën.
Komisioni Qendror i Kosovës (KQZ) e ka konfirmuar këtë për KOHËN, duke thënë se ky institucion i ka funksionalizuar komisionet komunale të zgjedhjeve (KKZ) në veri në mbledhjet e kaluara, duke i caktuar katër zyrtarë ekzekutivë.
“Mund t'ua konfirmoj se kemi pranuar dorëheqjet nga katër anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të cilët janë emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të subjektit politik Lista Serbe. Në mbledhjet e kaluara, KQZ ka funksionalizuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, duke caktuar 4 Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së si dhe ka marrë vendim për emrimin e 27 anëtarëve, të cilë përfaqësojnë subjektet politike parlamentare”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ-ja administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së.
Zyrtarët e Listës Serbe ishin emëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 18 mars të këtij viti, e më 21 prill do të votohet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe në Zveçan.
Por, Lista Serbe si subjekti më i madh i serbëve në Kosovë ka thënë të dielën se s’do të marrë pjesë në votim.
“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, të dielën në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut.
Sipas tij, janë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren”.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se i vjen keq që Lista Serbe nuk e përkrah votimin për shkarkimin e katër kryetarëve të komunave veriore të Kosovës.
Në një përgjigje për KOHËN, ambasada ka deklaruar se pjesëmarrja demokratike në votim bën që udhëheqësit të jenë përfaqësues të popullit të cilit i shërbejnë.
“Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se ata do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”, thuhet në përgjigje.
LEXO EDHE: