Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti do ta çojë Kosovën në zgjedhje në vjeshtën e këtij viti, duke thënë se ai “s’ka çka t’i ofrojë më vendit”.
Sipas anëtarit të Kryesisë së LDK-së, partia e tij është në garë me Lëvizjen Vetëvendosje për vendin e parë, “e jo me PDK-në për vendin e dytë”.
“Sjelljet e një kryeministri kur ka qenë në opozitë me veprimet që i ndërmerr sot në pushtet janë shumë kontroverse. Sot nga kjo mënyrë e qeverisjes i kemi dhuratë sanksionet që e kanë ngufatur zhvillimin tonë. Për Manastirin, Kurti edhe e ka kundërshtuar ashpër, edhe e ka bërë këtë lëshim shumë lehtë. Është një Albin Kurti tjetër”, ka thënë ai të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së.
Sipas Azemit, Kurti ka një hall të madh nga presioni ndërkombëtar për t’i kryer zotimet e bëra.
“Kurti s’do ta çojë mandatin deri në shkurt, vjeshta mund të jetë opsion i Kurtit për ta çuar vendin në zgjedhje. E ka një hall të madh nga presioni që ka bashkësia ndërkombëtar për t’i kryer obligimet...Abdixhiku është kandidati i LDK-së për kryeministër, s’ka dyshime aty. Është duke punuar gjatë tërë kohës e të gjithë në punët tona duke i kryer”, ka deklaruar Azemi.
Sipas tij, LDK-ja do ta fitojë garën zgjedhore “dhe më pas do të mendojë për ta bërë qeverinë”.
“Jemi të fokusuar të bindim elektoratin të votojë LDK-në...Kurti s’ka më kohë, njerëzit e kanë parë çka kryer, s’kanë qenë në gjendje as të përfundojnë e as të nisin asgjë”.