Arbëri

O’Brien: Ndërhyrja ushtarake e papranueshme, Asociacioni kusht për anëtarësim në KiE

James O'Brien

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, gjatë një konference me gazetarë, ka kërkuar uljen e tensioneve mes Kosovës e Serbisë. Tek ka folur për kërcënimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, O’Brien tha se çfarëdo ndërhyrjeje ushtarake do të konsiderohej rrezikim i trupave të NATO-s. Ai shprehu kërkesa specifike edhe për Kosovën. Për anëtarësim në Këshill të Evropës, sipas tij, duhet formuar Asociacioni

Serbia e ka të qartë se përdorimi i forcës kundër Kosovës është i papranueshëm, ngase vë në rrezik trupat e NATO-s, ka thënë ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien. Tek ka komentuar lëvizjet e ushtrisë serbe përreth kufirit me Kosovën dhe mesazhin e fundit të Vuçiqit, që tha se do të presin momentin për të ndërhyrë në Kosovë, O’Brien ka insistuar në ulje të tensioneve.

“Në Serbi, presidenti Vuçiq e di mirë se çfarëdo përdorimi i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm dhe do të konsiderohej rrezikim i trupave të NATO-s, të cilët janë atje për të mbrojtur popullatën, pavarësisht etnisë - serbe apo shqiptare. Ai tha se nuk duhet të ketë përdorim të forcës. Sa u përket stërvitjeve (ushtarake) ne jemi duke i ndjekur ato, por çështja kyç këtu është se të dyja palët duhet t’i reduktojnë tensionet në rajon, dhe kjo përfshin veprimet që janë direkt të ndërlidhura me stërvitjet”, ka thënë O’Brien gjatë një konference online me gazetarë.

O’Brien ka folur edhe për veprimet e tjera që i janë kërkuar Serbisë e që ndërlidhen me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Palës serbe ia kemi bërë të qartë se individët që ishin të përfshirë në aktet e shtatorit të vitit të kaluar duhet të merren në përgjegjësi për veprimet e tyre dhe presim që kjo të ndodhë shpejt. Qeveria serbe tashmë ka ndërmarrë disa hapa që lidhen me sulmin e 24 shtatorit dhe ne mirëpresim ata, si: shkarkimin e shefit të inteligjencës, tërheqjen e ushtrisë nga kufiri dhe ofrimin e disa sigurive për aktivitetet në veri. Por ne duam që tensionet të ulen dhe prandaj preferojmë që disa prej këtyre aktiviteteve të mos ndodhin”, është shprehur ai.

Diplomati amerikan po ashtu ka listuar veprimet që priten nga ana e Qeverisë së Kosovës, nisur nga çështja e dinarit serb.

“Ne shohim se në veri të Kosovës është shumë e vështirë për shumë qytetarë që t'i blejnë gjërat e përditshme. Gabriel Escobar sapo ishte atje për ta parë edhe për neve në ShBA situatën. Ajo që u konfirmua është se ai dekret u zbatua në atë mënyrë që e vështirëson jetesën e serbëve të Kosovës. Miqtë e Kosovës po kërkojnë rishikim të dekretit në mënyrë që i lejon njerëzit të paguajnë për gjërat e përditshme. Kjo ndoshta nënkupton të bëhet hap prapa”, ka theksuar diplomati amerikan. Sipas tij, vendimet e tilla pengojnë progresin në çështjet e tjera që janë arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli.

“Ka pasur marrëveshje serioze vjeshtën e kaluar sikurse ajo për nisjen e pagesës së faturave në veri, prandaj ajo që duam të shohim është përparim praktik në mënyrë që qytetarët në veri e dinë se janë në gjendje që të paguajnë për funksionim bazik të institucioneve dhe jetesën e tyre të përditshme. Kjo situatë rrit tensionet dhe nxit retorikën nacionaliste për të cilën ne preferojmë që të ndalet”, ka theksuar ai.

SHBA-ja ka rikonfirmuar mbështetjen për Kosovën në mësymjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës. Megjithëse e cilësoi të vonuar, O’Brien ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për t’ia kaluar 24 hektarët Manastirit të Deçanit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016.

“Kosovës i duhen vota të rëndësishme në përparimin e saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare javët në vijim. Ka një raportuese për Kosovën në Këshillin e Evropës, e cila ka shtruar disa kushte që Kosova është pajtuar t’i përmbushë dhe duhet t’i përmbushë në mënyrë që të ecë përpara. Në njërin prej tyre u arrit përparim i mirë duke zgjidhur mosmarrëveshjet rreth pronës së Manastirit të Deçanit. Ne e kemi mbështetur publikisht atë edhe pse mori shumë kohë, do të donim të ishte kryer më herët, sepse ajo ka të bëjë me ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe një komuniteti vibrant brenda Kosovës”, ka thënë O’Brien.

Më tej, ai ka përmendur se raportuesja për Kosovën, Dora Bakojanis, po ashtu ka thënë se Kosova duhet të jetë e gatshme të lëvizë përpara me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe para se Këshilli i Ministrave të merret me këtë çështje në Këshillin e Evropës, “dhe natyrisht të jetë zbatuar para se Këshilli i Ministrave të votojë për anëtarësim”.

“Kështu që ne e mbështesim Kosovën në rrugën përpara dhe ajo është pajtuar që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ky është element kritik në mënyrë që ta arrijë atë për të cilën thotë se e dëshiron- që është anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Këto janë vendime të vështira të cilat qeveria duhet t’i bëjë dhe ne i mbështesim ata të marrin vendime të vështira në mënyrë që t’i bashkohet komunitetit evropian dhe ndërkombëtar”, ka potencuar O’Brien.

Në prag të 25-vjetorit të bombardimit të ish-RSFJ-së nga NATO-ja, James O’Brien, tha se atëbotë ishin shterur të gjitha opsionet diplomatike për ndaljen e vrasjes dhe dëbimit të shqiptarëve nga Kosova.

“Qëllimi në vitin 1999 ka qenë që të ndalet dhuna dhe të sigurohen të drejta për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në vjeshtën e vitit 1998 Serbia ndërmori operacion për dëbimin e mijëra shqiptarëve në Kosovë, ishte krizë urgjente me të cilën duhet të merreshim. Vendimi për ta përdorur forcën ishte mundësia e fundit pas dështimit të negociatave për paqe. Në përvjetorin e 25-të, ne do të lëshojmë deklaratë bashkë me partnerët në BE. Përkujtimi për të është një ngjarje e vështirë, sepse e dimë që vendimi për përdorimin e forcës sjell pasoja për njerëzit. Opsioni i vetëm për të ndalur spastrimin, largimin e mijëra njerëzve ishte ajo që bëmë”, ka thënë O’Brien. “Ne ishim të kënaqur kur paqja u arrit dhe njerëzit të mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre, ishte proces që trajtohej në nivel të lartë, të presidentëve para dhe pas operacionit ushtarak. Ka qenë punë e të gjitha qeverive që ishin mbledhur për të ndalur krizën humanitare”.

Sipas diplomatit amerikan, 25 vjet më vonë, ana pozitive e stories së bombardimeve është se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor tash janë aspiruese për integrim në BE dhe disa prej tyre janë anëtare të NATO-s.