Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, i ka fajësuar edhe komunat lidhur me mosndërtimit e çerdheve gjatë mandatit qeverisës.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Nagavci ka thënë se për t’i ndërtuar çerdhet, nevojitet edhe kërtkesa nga komunat bashkë me lejen dhe planin urbanistik.
“Ne e kemi programin qeverisës që ka qenë udhërrëfyesi ynë dhe po punojmë që ta përmbushim në tërësi. Nëse i referohemi situatës me ndërtimin e çerdheve të reja, nëse e shohim në përqindje, çerdhet e reja gjatë periudhës trevjeçare të qeverisjes janë për 850 për qind më shumë sesa që janë realizuar gjatë periudhës 2003-2020. Janë në proces, janë finalizuar katër çerdhe, kemi 18 çerdhe që janë në proces të ndërtimit, janë pesë çerdhe që janë adaptuar, pra objekte ekzistuese që i kemi adaptuar për çerdhe. Janë 20 në proces sepse edhe dy janë tenderuar tashmë dhe nëntë objekte që janë në proces të adaptimit. Një gjë është e rëndësishme, për të ndërtuar ne si nivel qendror çerdhe, duhet të kemi kërkesën nga komuna bashkë me lejen dhe planin urbanistik”, ka thënë ajo.
Nagavci ka njoftuar se janë duke ndërtuar çerdhe në Gjilan dhe Kamenicë, ndërsa ndërtimi i tyre në komunat tjera po bëhet me “shumë vështirësi”.
“Nëse i referohemi komunës së Prishtinës, na kanë sjellë një kërkesë për ndërtim të çerdhes pas shumë insistimeve tona, e kemi vendosur gurthemelin bashkë me kryeministrin Kurti dhe me kryetarin e komunës së Prishtinës, z.Rama dhe prej momentit të vendosjes së atij gurthemeli në tetor të vitit 2022, nuk na kanë sjellë një dokument nga Drejtoria e Urbanizmit. Nuk ka qenë e mundur të ndërtohet, sepse me legjislacion komunat janë pronare”, ka thënë ajo.
Nagavci: Edhe sivjet librat do të blihen nga prindërit me subvencionim të Qeverisë
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se edhe sivjet librat do të blihen me subvencionim të Qeverisë dhe se nuk do të ketë vonesa, si vitin e kaluar.
Sipas saj, me vendimin për subvencionim buxheti është kursyer.
“Nuk vonohen librat. Njoftimet do të dërgohen me kohë, do të vazhdohet me subvencionim të familjeve. Po shohim edhe disa praktika të tjera që janë në vende edhe ekonomikisht më të zhvilluara se Kosova”, ka thënë ajo.
Nagavci ka folur edhe për mbingarkesën në çantat shkollore të fëmijëve, megjithatë nuk ka dhënë detaje se si do të zgjidhet kjo çështje.
“Barra e çantës së fëmijëve do të zvogëlohet, detajet do të jepen me kohë”.
Nagavci mohon se ministria ka përgjegjësi për dështimin e konkursit për inspektorë
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se s’ka përgjegjësi për dështimin e konkursit për inspektorë të arsimit, pasi sipas saj, procedurat nga MASHTI ishin kryer me rregull.
Ajo ka thënë të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se meqë Kuvendi mbikëqyr Këshillin Mbikëqyrës të shërbyesve publikë, “mund të jetë anuluar me tendencë”, por ka theksuar se tash do të hapet konkurs i ri.
“Ka qenë konkursi për 20 inspektorë të arsimit në niveli vendi, është anuluar nga Këshilli Mbikëqyrës i shërbyesve publikë. Konsideroj se s’kanë qenë të gjitha arsyet e qëndrueshme dhe dy herë është anuluar konkursi, jemi në finalizim të konkursit të ri me rregulloren e re...Udhëzimit administrativ që i janë referuar ka hyrë në fuqi 10 ditë pas shpalljes së konkursi. Nuk është shpallur konkurs me udhëzimin e ri administrativ. Për shkak se Kuvendi e mbikëqyr Këshillin, uroj që të mos ketë qenë me tendencë, mund të ketë qenë pasi çështjet në arsim janë komplekse e janë disa ligje që rregullojnë këtë”, ka thënë Nagavci.
Sipas ministres së Arsimit, konkursi i ri do të hapet pë 40 inspektorë të rinj, derisa ajo ka bërë thirrje për aplikim.
“I inkurajoj ata që i plotësojnë kriteret të aplikojnë në konkursin e ri që do të shpallet nga ne”, ka shtuar ministrja.
Nagavci: Nuk kemi pritur rezultate më të mira nga testi PISA
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nuk ka pritur rezultate më të mira nga testi PISA, ku Kosova u rendit ndër vendet e fundit në testimin e fundit.
E ftuar të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Nagavci ka thënë se intervenimet e ministrisë të cilën e drejton nuk do të mund të sillnin ndryshime të menjëhershme.
“Që të jem e sinqertë, jo vetëm unë dhe ekipi im, por edhe të gjithë ata që seriozisht i janë përkushtuar arsimit nuk kanë pritur rezultate më të mira në testin e fundit të PISA-s. Rezultatet e fundit të testit PISA e rikonfirmuan atë që e kemi ditur edhe në testin paraprak andaj edhe intervenimet tona në këtë drejtim, që para se të marrim rezultatet kanë qenë shumëdimensionale. Nëse i referohemi arsimit parauniversitar, ne kemi filluar një proces tejet të rëndësishëm të rishikimit të teksteve mësimore, kemi rishikuar tekstet e gjuhës shqipe dhe të matematikës, gjithsej 38 tekste. Ato nuk janë problemi i vetëm, janë probleme shumëdimensionale edhe këtu. Pra, ne nuk mund të kishim pritur që për nëntë muaj punë të ministrisë sonë të shohim rezultate të menjëhershme”, ka thënë ajo.