Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA-ja kërkon ndryshimin e mënyrës së zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për operimin e parasë ‘cash’, e që ndalon dinarin serb. Pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, Hovenier ka thënë se ka parë shenja pozitive nga takimi që Kosova e Serbia patën një ditë më parë në Bruksel.
Në një deklaratë për media, Hovenier ka thënë se SHBA-ja e respekton BQK-në si institucion përgjegjës për politikat e tilla në të gjithë territorin e Kosovës. Ai ka thënë se “çështja s’është te dinari, por te mënyra e zbatimit”.
“Jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë te popullata e cenueshme, posaçërisht te komuniteti serb”, ka thënë Hovenier.
Ai ka shtuar se Bislimi nuk i ka treguar propozimet e Kosovës, pasi ka thënë se Qeveria po punon në to. Është shprehur optimist edhe për takimin e paralajmëruar për javën e ardhshme.
Të martën u arrit dakordimi mes Kosovës dhe Serbinë që të dërgohen propozime për të dalë nga ngërçi i dinarit. Palët kanë kohë deri të premten për t’i dërguar propozimet, e më pas ato do të diskutohen të hënën në Bruksel në takimin mes kryenegociatorëve.
Rregullorja e BQK-së ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht kundërshtimeve nga ndërkombëtarët. Ajo ndalon qarkullimin e valutave tjera, pos euros. Serbët në veri tash e 20 vjet janë paguar nga shteti i Serbisë në dinarë.