Nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, i janë djegur dy lokale të cilat ndodhen ngjitur me njëri-tjetrin në qendër të Zveçanit.
Rasti ka ndodhur në orët e para të së premtes.
Sipas raportit të Policisë Tomaniq ka thënë se dyshon që zjarri i është vënë qëllimshëm nga persona të dyshuar.
“Ankuesja femër kosovare ka informuar se persona të panjohur i kanë vënë zjarrin butikut të saj, zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Lidhur me rastin ankuesja dyshon se zjarri i është vënë qëllimshëm nga persona të dyshuar. Sipas ankueses, vlera e dëmit është e lartë. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.
Në një përgjigje për KP-në, Tomaniq ka thënë se dyshon që këtë akt e kanë kryer Lista Serbe dhe “Brigada e Veriut”.
"Dyshoj në ‘Severna Brigada (Brigada e Veriut)’ dhe në Listën Serbe se e kanë kryer këtë akt. Kjo për faktin se unë jam e punësuar në një institucion të Republikës të Kosovës, ku politikat tona janë në kundërshtim me atë të tyre”, ka theksuar ajo.
{gallery}
VIDEO:
Për këtë ka shkruar edhe zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, i cili ka thënë kjo është përpjekje për “t’i frikësuar serbët e çliruar nga thundra e terroristëve të Listës Serbe”.
“Banditët ia dogjën dy lokalet e saj zv.kryetarës së Komunës së Zveçanit, znj. Natasa Tomanic , në përpjekjen e kotë për t'i frikësuar serbët e çliruar nga thundra e terroristëve të Listës Serbe. Kjo vjen një muaj pas bllokimit të paligjshëm të biznesit të familjes së zv.kryetares së Mitrovicës Veriore znj. Katarina Agjançiq nga regjimi i Vuqiçit dhe dy muaj pas djegies së veturës së kryesuesit të Kuvendit Komunal të Leposaviqit, z. Gorski Buriç”, ka shkruar Vokrri në Facebook.
Sipas tij kjo ndodh sa herë që “ndërkombëtarët i kërkojnë Republikës së Kosovës të heqë dorë nga sovraniteti”.
“Terroristët dhe banditët ndihen të trimëruar sa herë që ndërkombëtarët i kërkojnë Republikës së Kosovës të heqë dorë nga sovraniteti dhe zbatimi i ligjit”, ka shkruar Vokrri.