Deputeti i partisë Guxo, Burim Meta, ka thënë se Qeverisë i duhet më tepër se një mandat për ta funksionalizuar sigurimin shëndetësor.
Ai ka thënë të enjten në Interaktiv të KTV-së se po punohet për sistemin e përgjithshëm shëndetësor, por që angazhimi duhet të jetë më i madh.
“Po del se duhet më shumë se një mandat. Edhe po t’i merrnim sot premiumet e ligjit, ne në këtë sistem shëndetësor akoma jo të formësuar, do të kishim vështirësi për t’i marrë ndryshimet. Jemi duke e kompletuar listën esenciale të barnave, po shtojmë trajtimin shëndetësor, po investojmë në klinika që edhe nevoja për trajtim jashtë shtetit është më e vogël”, ka thënë Meta.
Sipas deputetit të partisë në pushtet, Qeveria ka punuar në avancimin e sistemit shëndetësor, duke përmendur shtimin e buxhetit.
“Qeveria Kurti nuk mund të themi që s’e ka pasur target shëndetësinë, deri në fund të vitit pritet të bëhet 400 milionë euro buxheti për shëndetësinë, të kemi dyfishim. Po presim në futet në fuqi ligji për nivelizimin e barnave”, ka theksuar ai.
Meta ka shtuar se partia Guxo ka dhënë kritika konstruktive ndaj Qeverisë Kurti në menaxhimin e shëndetësisë.
Meta për shëndetin riprodhues: Fëmijët duhet ta kenë një baba e një nënë
Për çështjen e ligjit për shëndetin riprodhues, deputeti Burim Meta ka shtuar se duhet të kalojë edhe në lexim të tretë dhe të harmonizohet.
Sipas tij, secili fëmijë duhet të ketë një baba e një nënë, e në të kundërtën, ai penalizohet.
“Ky ligj duhet të kthehet edhe në lexim të tretë, që të harmonizohet në bazë të kërkesave të qytetarëve. Ky ligj duhet të diskutohet akoma më shumë, është moment i ngutshëm...Deputetët që s’po e votojnë një ligj të tillë, s’po e pamundësojnë që të bëhet në spitalin publik. Nëse nesër rriten kapacitetet, me udhëzimin administrativ mund të bëhet kjo”, ka thënë deputeti Meta.
Meta ka thënë se me ligjin për shëndetin riprodhues rrezikohet që në të ardhmen të shkaktohet incesti.
“Një fëmijë duhet të ketë një nënë e një baba. Është koncepti biologjik. Unë s’po ua mohoj grave këtë...Ka raste kur fëmijët mund të kthehen pas disa vitesh dhe të thonë ‘ku e kam unë babanë tim’. Pse të penalizohet e drejta e të pasurit të dy prindërve. Një person që është baba e ka një fëmijë, që shkon edhe jashtë vendit e jep një qelizë të tij mashkullore, e pas një kohë, ai ka edhe një fëmijë diku tjetër. Pavarësisht se ku është implikuar ajo qelizë, s’ka lidhje gjaku me atë person. Në një të ardhme të afërt, kur një fëmijë është i rritur e pritet të rritet, mund të përbashkohen këta të dy”, ka thënë deputeti Meta.