Punëtorëve teknikë në Qendrën e Studentëve të angazhuar nga kompanitë private të mërkurën iu pamundësua qëndrimi brenda konviktit. Mbi dyshimet se menaxhmenti dhe kompania private kanë shkeli Ligjin e Grevave, Inspektorati i Punës ka filluar hetimet
Jashtë hapësirave të konvikteve, 30 punëtorë të pastrimit në Qendrën e Studentëve, të angazhuar nga kompanitë private kanë vazhduar të mërkurën grevën e tyre, me kërkesën për rritje të pagës. Grevistët akuzojnë menaxhmentit për shkelje të Ligjit të Grevave, duke ua pamundësuar qëndrimin brenda objektit. Adile Rexhepi ka thënë se në mëngjes iu është mbyllur dera e konviktit numër pesë ku kanë qenë duke qëndruar të gjithë grevistët.
“Sot e kanë mbyllur derën i kanë detyruar recepsionistet me mbajt me çelës sa herë të hyjnë studentet, që të mos na lejojnë neve, jemi këtu jashtë”, ka thënë ajo.
Menaxhmenti i Qendrës së Studentëve u arsyetuan se kanë pasur ankesa nga banoret e konviktit për zhurmë të krijuar nga grevistët.
“Kjo ka ndodhë për arsye se kemi pasur ankesa nga ana e studenteve banues në konvikt se po i pengojnë dhe ne si staf iu kemi tërheq vërejtjen që të mbajnë qetësinë por nuk iu kanë përmbajt kësaj dhe jemi detyruar që t’i largojmë nga objekti”, është thënë në përgjigjen e tyre.
Për shkelje të Ligjit për Greva, punëtorët akuzojnë edhe kompaninë prej të cilët janë të angazhuar për kryerjen e punës. Ata kanë thënë se kompania ka sjell punëtorë për t’i zëvendësuar.
Ligji për Greva ia ndalon punëdhënësit të zëvendësojë grevistët.
“Gjatë grevës së organizuar sipas kushteve të përcaktuara me këtë Ligj, punëdhënësit nuk mund të punësojnë punëtorë të rinj të cilët do të zëvendësonin pjesëmarrësit në grevë”, shkruan në nenin 13.
Për këto veprime Inspektorati i Punës ka treguar për KOHËN se kanë filluar hetime ndaj menaxhmentit dhe kompanisë.
“Me të marrë informatën, inspektorët e rastit të Inspektoratit Qendror të Punës kanë iniciuar inspektimin mbi pretendimet e z. Azemi. Aktualisht, ju njoftoj se inspektimi është në proces dhe nuk ka përfunduar ende për të konstatuar se a do të shqiptohet gjobë apo jo”, është thënë në përgjigjen e tyre.
Këta punëtorë janë në grevë që tetë ditë. Me lot në sy, Ibe Bajgora, nënë vetushqyese tregon vështirësitë për të mbijetuar me rrogën aktuale prej 290 euro.
“Jetoj me qira, kështu që kjo pagë është e pamjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet e mia, vetëm për banesë, ujë e rrymë, për me hangër e pi nuk vjen në shprehje”, ka treguar ajo.
Bajgora ka të përfunduar Fakultetin e Edukimit për nivelin parashkollor. Ajo tregon se problemet e saja shëndetësore ia pamundësojnë që të punojë në profesionin e saj.
“Jam e diplomuar por për shkak të sëmundjeve të shëndetit që e kam të dobët, kam probleme shëndetësore reumatike nuk mund të punojë në profesion temin dhe për t’i mbajt fëmijët sado pak, jam obliguar të vijë të punojë në pastrim”, ka thënë ajo. “Nuk e nënçmojë punën që e bëjë, por vetëm kërkojë rritje page pasi kjo është për të mbijetuar”, ka shtuar Bajgora.
Paga e ultë, Bajgorës ia bënë më të vështirë përkujdesjen ndaj djalit të saj.
“Edhe djali që një vit e gjysmë ka probleme me shtyllën kurrizore nuk mundem ta dërgojë në kontroll mjekësore, nuk mundem t’ia sigurojë ushtrimet fizikale, thjesht sa m’i mbajte gjallë”, ka thënë Bajgora.
Sipas Rexhepit, 70 për qind e grevistëve janë me probleme shëndetësore.
“Shumica 70 për qind janë me probleme shëndetësore, krejt këtu kemi dhënë kontribut, duke gërryer lloçin, ata merr kompani lloj-lloj na kemi gërryer xhama. Çkas kemi gërryer malter, çka do që ka pasur këtë vend. I kemi pastruar dhe në fund na kanë lënë jashtë”, ka thënë ajo.
Këta punëtorë janë të angazhuar nga kompanitë private, që nga vitin 2011, kur u privatizuan. Menaxhmenti i Qendrës ka thënë se nuk kanë mundësi ligjore t’ua realizojnë kërkesën pasi kontrata e nënshkruar me kompaninë është valide deri më 2026.
“Nuk ka mundësi Ligjore për ndryshim të pagave pasi që kontrata është e nënshkruar me një operator ekonomik ‘Beni’ për kryerjen e shërbimeve dhe punëtorët i takojnë kompanisë”, është thënë në përgjigjen e QS-së.
Në grevë janë edhe 232 punëtorë teknikë në Universitetin e Prishtinës, të angazhuar nga kompanitë private. Ata të mërkurën refuzuan ofertën e Rektoratit që paga e tyre të jetë 330 euro. Kryetari i Sindikatës të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, theksoi se nuk pranojnë pagë nën 400 euro neto.
“Ne votuam unanimisht që oferta të refuzohet dhe ta vazhdojmë grevën”, ka thënë ai. “Përndryshe dialogu është zero. Këtu po nënçmohen mbi 250 familje e jo individ”, ka thënë ai.
Universiteti i Prishtinës ka hapur tender për nënshkrimin e kontratës së re me operatorët ekonomik për mirëmbajtjen dhe sigurimin e objekteve. Në kontratën e re përcaktohet paga për tre vite e grevistëve në UP.