Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist të mërkurën ka organizuar protestë në kundërshtim të vendimit të Gjykatës së Apelit që ta dërgojë në rigjykim lëndën e vrasjes së Marigona Osmanit.
Protesta u mbajt para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë.
“Ne nuk harrojmë”, “Femicidin ta ndëshkojmë, jo rigjykojmë”, “Poshtë gjykatat patriarkale”, ishin disa pankartat e mbajtura nga protestuesit.
Më 23 shkurt, Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim çështjen ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të dënuar nga Themelorja për vrasjen e Marigona Osmanit.
Në gusht të vitit të shkuar, Krivaça ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Osmanit, ndërsa Sejdiu me 15 vjet për ndihmë në vrasjen e rëndë.
Në aktvendimin e Apelit bëhet e ditur se është aprovuar ankesa e mbrojtësve të të akuzuarve. Me këtë rast është anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Ferizajt. Krivaça dhe Sejdiu do të mbeten në paraburgim deri në vendimin tjetër të gjykatës së shkallës së parë. Apeli ka vlerësuar se dispozitivi i shkallës së parë është i paqartë, i pakuptueshëm dhe jo në harmoni me dispozitat ligjore.
18-vjeçarja Marigona Osmani ishte vrarë në gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça. Në aktgjykim e Themelores qe theksuar se Krivaça, më 21 e 22 gusht të dy vjetëve më parë, për motive të xhelozisë e me vetëdije, ka ushtruar dhunë ekstreme ndaj së ndjerës Osmani, me të cilën po bashkëjetonte në banesën e tij. Dhe se për dy ditë radhazi, ai me një shkop druri e kishte goditur viktimën vazhdimisht në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike e psikike, të cilat është konstatuar se ia kanë shkaktuar vdekjen.
Dy të akuzuarit qenë liruar nga akuza për dhunim, pasi gjykata nuk ka arritur që ta konstatojë dhunimin me asnjë provë.
Familjarët e viktimës ishin ankuar se dënimi i Sejdiut ishte i ulët.
Rasti pati tronditur opinionin publik.