Arbëri

Marrëveshja e arritur një vit më parë s’njeh zbatim, BE-ja i bën përgjegjëse të dyja palët

Janë bërë saktësisht një vjet prej kur Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë, e cila në Prishtinë u interpretua si njohje de-fakto nga fqinji verior. Por, 12 muaj pas, në Bruksel thanë se për mungesë zbatimi, të dyja palët janë njësoj përgjegjëse. E njohës të zhvillimeve politike vlerësuan se për të ndryshuar situata duhet përfshirje më aktive e SHBA-së.

Kosova dhe Serbia janë fajësuar njësoj nga Bashkimi Evropian për moszbatim të marrëveshjes së dakorduar një vit më parë në Bruksel.

Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësi Peter Stano shprehu zhgënjimin për progresin e pamjaftueshëm dhe paralajmëroi palët për pasoja në rrugën drejt anëtarësimit në bllok.

“Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit – e rënë dakord në Bruksel më 27 shkurt të vitit të kaluar – është një marrëveshje historike që e vendos dialogun në një trajektore të qartë largpamëse. Një vit më vonë, BE-ja shpreh keqardhje për progresin e kufizuar të deritanishëm në zbatimin e Marrëveshjes, e cila mund t’i atribuohet plotësisht dy palëve. Pa progres në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera të Dialogut, palët nuk do të jenë në gjendje t’i përmbushin rrugët e tyre evropiane”.

Por, autoritetet në Kosovë thanë se është Serbia ajo që tash e një vit refuzon të nënshkruajë dhe të zbatojë marrëveshjen, që, sipas tyre, përbën njohje de-fakto të shtetësisë.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e akuzoi këtë shtet për shkelje të tetë neneve të marrëveshjes e edhe për qasje destruktive dhe për eskalim të situatës në terren.

“Në vetëm një vit, të gjitha këto akte e sjellje, dëshmuan se Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke. Kosova nga ana e saj, qëndron konstruktive dhe e angazhuar në këtë rrugëtim, në zbatimin e plotë, të drejtë e pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, përmes një plani të sekuencimit të balancuar mes palëve. Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i saj Implementues, duhet të zbatohen sa më parë. Rajoni ka nevojë për zhvillim e prosperitet, harmoni e marrëdhënie të mira fqinjësore mes të gjitha shteteve të rajonit”.

Njohës të çështjeve politike thonë se implementimin e marrëveshjes mund ta shtyjë përpara përfshirja më aktive e administratës amerikane.

“Mendoj që me këtë sjellje të Serbisë dhe me këtë mungesë koordinimi të Kosovës, gjasat për një normalizim të marrëdhënieve kërkojnë medoemos të kalohet një metodologjie të re, jo vetëm të BE-së si ndërmjetës, por kryesisht SHBA-së që të përdoren instrumente të tjera të presionit mbi palët me qëllim që të detyrohen të lëvizin më shpejtë drejt përmbushjes së obligimeve dhe normalizimit të plotë”, tha njohësi i zhvillimeve politike, Arben Fetoshi.

“Pa administratën amerikane, mua më duket bashkësia evropiane është e limituar. Ndikimi ndaj Beogradit nga administrata amerikane është tepër e suksesshëm. Për këto 20 vitet e fundit grupet euroatlantike e kanë pas problemin me Beogradin zyrtar, tash kur Beogradi është nën kontroll ndërkombëtarët e kanë problem me kryeministrin tonë që do të thotë jemi në qosh dhe në një rrugë qorre”, tha njohësi Branislav Krstiq.

Një vit më parë, Kosova dhe Serbia zyrtarisht pranuan planin franko-gjerman, që më pas mori emërtimin e Marrëveshjes Bazë. Pas 27 shkurtit, kryeministri Albin Kurti e presidenti i Serbisë, u takuan sërish në Ohër më 18 mars, ku u morën vesh për dokumentin e dytë, të njohur si aneksi i zbatimit.

Ndonëse marrëveshja nuk u nënshkrua, BE-ja lëshoi një deklaratë, sipas së cilës, zbatimi i saj është kusht për rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në bllok.