Arbëri

Greva njëjavore e neglizhuar nga institucionet

Punëtorët të cilët janë duke grevuar qe një javë me kërkesën për rritje të pagave, nga Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privat kanë thënë se menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës dhe ata në Qendrën e Studentëve nuk janë interesuar për të dialoguar. Sipas udhëheqësve të sindikatës, është rritur presion për ndërprerje të grevës, gjë që është e kundërligjshme

Ka një javë që punëtorët teknikë në Universitetin e Prishtinës dhe ata në Qendrën e Studentëve të angazhuar nga kompanitë private, janë në grevë.

Ata kanë shprehur ankesa për mosinteresim nga menaxhmenti i këtyre dy institucioneve për të realizuar kërkesën e tyre për rritje të pagës.

Punëtorët pastrues në Qendrën e Studentëve thonë se ndaj tyre është rritur presioni për ta ndërprerë grevën.

“Është shumë shqetësuese e presion. Ne kemi bërë grevë, pasi e kemi edhe të shtunën prej 7-ve deri 12-të. E ditëve të punës e kemi prej 7-ve deri në 2 orarin, shkaku që konviktet të mos mbeten dy ditë pa punëtorë, punojmë deri në 12. Ne kemi qenë në grevë, ne jemi dalë dhe kompania ka sjellë punëtorë të tjerë për t’i pastruar”, ka deklaruar Adile Rexhepi, punëtore teknike në Qendrën e Studentëve.

Ligji për Greva ia ndalon punëdhënësit të punësojë punëtorë të rinj të cilët do të zëvendësonin pjesëmarrësit në grevë.

KOHA nuk ka arritur të dielën të kontaktojë me kompaninë e cila është përgjegjëse për këta punëtorë.

Kryetari i Sindikatës të Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se rastin e ka paraqitur në Inspektorat të Punës.

Azemi ka deklaruar se deri më tani menaxhmeti i institucioneve publike nuk ka shprehur interesim për të dialoguar.

“Realisht nuk kemi pasur direkt, sepse ne për shembull me kërkesat e tona u jemi drejtuar jo kompanive, por Qendrës Studentore dhe Rektoratit sepse ata e përcaktojnë pagën e këtyre punëtorëve. Ka pasur disa tentime të pronarëve të kompanive që t’ua rrisin pagën për 50 euro, për një muaj, dy-tre-katër, por megjithatë, ne jemi të vendosur deri kur institucionet, punëdhënësi ynë direkt të japë deklarim me shkrim se pagat e tyre do të jenë 400 euro”, ka thënë Azemi.

Sipas Sindikatës, 262 punëtorë që punojnë në hapësirat e UP-së dhe të Qendrës të Studentëve janë duke grevuar që nga e premtja e kaluar, por grevën e kanë intensifikuar që nga e mërkura duke mos punuar fare.

Në Rektorat kanë thënë ditë më parë se nuk kanë buxhet për të ofruar pagën e kërkuar nga punonjësit.

E për grevat që kanë përfshirë këto dy institucione nuk ishte e gatshme të deklarohej as ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ishte e pranishme në hapësirat, ku këta punëtorët kujdesen për sigurinë dhe mirëmbajtjen e tyre gjatë javës që shkoi.