Tri organizata joqeveritare në Kosovë i kanë bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të distancohet nga deklarimet e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe zëvendësministrit të Administrimit të Pushtetit lokal, Arbër Vokrri.
Bislimi kishte reaguar në platformën “X” ndaj emisarit të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, që nuk kishte cekur në postimin e tij që kishte bërë në rrjete sociale për një takim me përfaqësues të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (NCEU), se ata ishin pjesë të NCEU së Serbisë.
Po ashtu Bislimi tha se nuk ka përmendur Lajçaku se në kuadër të këtij delegacioni me të cilin ishte takuar ishin kryesisht përfaqësues të OJQ-ve nga Kosova, “të cilët në mënyrë aktive dhe të hapur avokojnë kundër integrimit të qytetarëve serbë në jetën ekonomike dhe sociale të Kosovës”.
E Arbër Vokrri në emisionin “60 Minuta” të KTV-së tha se takimi që ai delegacion kishte zhvilluar në Parlamentin Evropian, kishte qëllim të shtynte një narrativë të dëmshme për Kosovën.
“Gjatë kësaj vizite ndodhi një ballafaqim goxha i ashpër me përfaqësues të OJQ-ve të regjistruara në Kosovë nga qytetarë serbë, por të cilët ashtu e kuptuam se jetojnë më shumë në Serbi, në Beograd. Në mesin e tyre pati edhe zyrtarë shtetërorë të Serbisë, por të cilët prezantoheshin sikur jetonin në Kosovë... Ata tentuan që ta shtynë përpara një narrativë të dëmshme për Republikën e Kosovës, që nuk përket me realitetin, është pikërisht narrativa e regjimit të Beogradit e cila mundohet ta paraqesë Republikën e Kosovës, e veçanërisht Qeverinë Kurti, si antiserbe, që ushtron presion për shpërnguljen e serbëve dhe që ua mohon të drejtat politike e civile”, ka deklaruar Vokrri.
E tri OJQ-të e serbëve të Kosovës, “Nisma e re Sociale”, “Inter” dhe “NGO Aktiv” kanë reaguar duke thënë se ata ndër vite kanë punuar “për të ndërtuar ura ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe për të promovuar pajtimin e tolerancën ndëretnike në Kosovë”. Kanë thënë se akuzat kanë “qëllim frikësimin dhe ekspozimin ndaj linçimeve publike”.
“Përmes shënjestrimit të përfaqësuesve të shoqërisë civile, disa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë shfaqur neverinë e tyre ndaj kritikave konstruktive dhe po ashtu mosgatishmërinë e tyre të angazhohen në dialog, veçanërisht me organizatat që janë aktive në komunitetet joshumicë në Kosovë. Duke pasur parasysh se kryeministri Albin Kurti shpesh me krenari flet për një shkallë të lartë të demokracisë në mesin e arritjeve më të mëdha të Kosovës në historinë e saj moderne, ne këtu e ftojmë atë publikisht të distancojë veten nga sulmet diskriminuara dhe të bazuara në gënjeshtra të drejtuara ndaj nesh nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, zëvendësministri i vetëqeverisjes lokale Arbër Vokrri si dhe anëtarët të Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në reagimin e OJQ-ve serbe.