Arbëri

Von Cramon e shqetësuar nga deklarimet e Bislimit për NCEU-në

Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, tha se janë shqetësuese deklarimet e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi ndaj Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (NCEU), duke thënë se ato kanë efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve serbë në Kosovë.

Në një reagim në rrjetin social X, Von Cramon ka shkruar të enjten se “BE-së s’ka nevojë t’i tregojë askush se zyrtarët e saj me kë ose në çfarë ore të takohen”, duke shtuar se pjesëtarë të kësaj organizate s’janë zëdhënës të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“BE-ja vepron në mënyrë të pavarur dhe nuk ka nevojë që dikush t'u tregojë zyrtarëve të saj se me kë dhe në çfarë ore mund të takohen. Z.Lajçak është takuar vazhdimisht me të gjithë aktorët kryesorë, të cilët mund të kontribuojnë me veprimet e tyre për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo vizitë nuk bën përjashtim në këtë drejtim. Këta njerëz nuk janë zëdhënës të Vuçiqit, por OJQ të pavarura që mbështesin programet multietnike dhe punojnë pa u lodhur për integrimin brenda Kosovës... Unë personalisht janë thellë e zhgënjyer dhe e shqetësuar për deklarimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve serbë etnike dhe pakicave tjera”, thuhet në reagimin e raportueses Von Cramon.

Zëvendëskryeministri Bislimi të mërkurën kritikoi emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për qasje jo të drejtë dhe jo neutrale në procesin e normalizimit.

Bislimi ka reaguar pasi Lajçaku të martën në një postim shkroi për një takim me përfaqësues të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (NCEU), por nuk tregoi se ishte NCEU e Serbisë.

Por, Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian (NCEU) i ka reaguar Bislimit duke thënë se etiketimet e tij janë kundër frymës së dialogut dhe vlerave evropiane.

E, këshilltari i Bislimi, Klisman Kadiu, i ka reaguar të enjten NCEU-s, duke thënë se nëse ajo shqetësohet aq shumë për procesin e dialogut dhe të drejtat e komuniteteve atëherë “le t’i trajtojë e t’i ftojë në takim me Lajçakun, e të shkojë në delegacion, me përfaqësues nga Lugina e Preshevës”.