Arbëri

Çitaku kritikon Bislimin për “kërcënim të BE-së”: Gjuha e tij, e dëmshme dhe e rrezikshme

Vlora Çitaku - PDK

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar paraqitjen e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në intervistën e mbrëmshme në KTV, duke thënë se gjuha e përdorur prej tij është e dëmshme dhe e rrezikshme për Kosovën.

Çitaku e ka konsideruar si kërcënim ndaj Bashkimit Evropian deklaratën e Bislimit të dhënë në emisionin “Konfront”.

“Ne kemi thënë, masat për deeskalim duhet të hiqen për shkak të deeskalimit, mos na detyroni ta eskalojmë situatën për t’iu treguar që e deeskalojmë prapë. Situata në veri ka deeskaluar, tregon që masat që janë vendosur për këtë nuk e kanë më bazën e tyre, rrjedhimisht është e palogjikshme të futen”, ka deklaruar Bislimi në KTV, për të cilën Çitaku ka thënë se është gjuhë e dëmshme dhe e rrezikshme për vendin.

Nënkryetarja e PDK-së e ka akuzuar për arrogancë e injorancë Bislimin.

“Pra, Besnik Bislimi, numri 2 në qeverinë Kurti, përgjegjës për integrim evropian të Kosovës dhe dialog me Serbinë, paska lëshuar një kërcënim ndaj BE-së mbrëmë. ‘Mos na detyroni me eskalu situatën për m’iu tregu që e de-eskalojmë prapë’. Për besë, gjumi nuk po e zë më Macronin dhe Scholzin. Sinqerisht, sikur mos të mbanit përgjegjësi institucionale, situata do të ishte komike. Kjo lloj gjuhe, që ngjason më shumë në përleshje të kafeve, kur përdoret zyrtarisht dhe publikisht nga ZvKryeministri është e dëmshme dhe e rrezikshme. Arrogancë e injorancë. Mjerim”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Intervista e plotë e Bislimit