Arbëri

Pensionistët serbë protestojnë të hënën, Lista Serbe u bashkohet

Shoqata e pensionistëve serbë në veri të Kosovës do të protestojë të hënën kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që euroja të jetë e vetmja valutë. Lista Serbe ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës.

Nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e BQK-së për çështjet që lidhen me operimin e parave të gatshme. Me këtë rregullore, euroja është e vetmja valutë zyrtare. E serbët marrin ndihmat nga Serbia nëpërmjet dinarit serb. BQK-ja ka thënë se kjo çështje mund të zgjidhet po që se Banka Qendrore e Serbisë pranon marrëveshje me BQK-në.

Rregullorja ka nxitur reagimin e ndërkombëtarëve që kanë kërkuar shtyrjen ose pezullimin e saj.

Serbia ftoi seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ditë më parë, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, akuzoi Kosovën për “spastrim etnik”.

Lista Serbe në një reagim të shtunën në mbrëmje ka thënë se do t’i bashkohet protestës kundër “vendimit të regjimit në Prishtinë për ndalimin e dinarit për pagesa, por edhe kundër veprimeve të njëanshme kundër interesave të popullit serb, që nga arrestimi i qytetarëve të pafajshëm, militarizimi i ushtrisë e te ndërhyrja brutale e forcave speciale të Kosovës në objektet e institucioneve serbe”.

Serbia ka përdorur dinarin për t'i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë, përfshirë këtu edhe spitalet dhe shkollat.