Arbëri

Rama paralajmëron asamblistët nëse anulohet vendimi për këmbimin e pronave: Pasojat janë tuajat

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar asamblistët e Prishtinës nëse anulohet vendimi për këmbimin e pronave.

Rama në fjalimin e tij në Kuvendin e Prishtinës, ku po mbahet seanca e jashtëzakonshme për anulim të vendimit për këmbim të pronave, u ka thënë asamblistëve se pasojat e mundshme do t’i bartin ata.

“Edhe njëherë po deklarojmë si qeverisje, se ne kemi vepru në çdo moment të këtij procesi në përputhje me ligjin dhe manualin e Ministrisë së Pushtetit Lokal për këmbim të pronave. Ju lutem, ju e dini saktë çka thotë Manuali për këmbim të pronave. Prandaj, sot vendimmarrja është në dorën tuaj si organ kompetent, secilin vendim qe do ta merrni mund të ketë pasoja në të ardhmen. Unë si kryetar i kryeqytetit, ashtu siç më obligon ligji, jam i obliguar që t’i zbatoj vendimet e Kuvendit të Kryeqytetit. Mirëpo, përgjegjësia dhe pasojat e mundshme janë tuajat”, ka thënë Rama.

E drejtoresha e Pronave në Prishtinë, Doruntinë Maloku, ka folur për “historikun” e këmbimit të këtyre pronave.

Të gjitha zhvillimet rrodhën, pasi muajin e shkuar KOHA ka raportuar se para tre vjetësh kryetari i Komunës, Përparim Rama, pati klientë pronarët e mbi 8 hektarëve tokë në Badoc, ku planifikohej ndërtimi i një lagjeje. Projekti u ndalua sa Lumir Abdixhiku ishte ministër. Por në fund të dhjetorit, me propozim të Ramës e me ndihmën e asamblistëve të Vetëvendosjes që e bënë kuorumin, Kuvendi Komunal vendosi që ajo të këmbehej me një pronë tjetër gati trefish më të madhe në zonën Prishtina e Re. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kishte lëshuar vendimin për ligjshmërinë e këtij këmbimi, ndërsa pas raportimit të KOHËS e ka tërhequr.

Gjykata Themelore në Prishtinë të martën ka miratuar kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi për të shtyrë ekzekutimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për këmbim të pronës komunale në “Prishtina e Re” me prona private në Badoc, për të cilat ka raportuar tash e sa javë KOHA.

VIDEO

https://fb.watch/q4CoBlinCt/