Dy muaj pasi një këmbësor është goditur për vdekje në rrugën “Bill Clinton” në lagjen “Dardania” në Prishtinë, personi që ka shkaktuar aksidentin vazhdon të jetë i lirë. Vajza e viktimës u ankua se institucionet e rendit dhe ato të drejtësisë nuk e trajtuan dinjitetshëm rastin, ndërsa për ngasësin e veturës tha se është fëmijë i një biznesmeni që ka lidhje të forta edhe me politikën
E zhgënjyer dhe e tronditur me institucionet e rendit dhe të drejtësisë është shprehur të mërkurën Sihana Bejtullahu, vajza e Ferhat Bejtullahut, i cili më 2 dhjetor të vitit të kaluar u godit për vdekje nga një veturë në rrugën “Bill Clinton” në lagjen “Dardania” në Prishtinë.
Vajza e viktimës i ka thënë KOHËS se edhe dy muaj pasi ndodhi rasti, shoferi që shkaktoi vdekjen e babait të saj endet i lirë e institucionet nuk i japin asnjë informacion se deri ku është proceduar lënda.
“U kam shkruar të gjitha institucioneve, duke filluar nga Kryeprokurori i Shtetit, Kryeprokurori i Prishtinës, prokurores së rastit, policit dhe po ashtu kam dërguar ankesë tek Inspektorati Policor për sjelljen e padinjitetshme dhe joprofesionale të policit të rastit”, ka thënë Bejtullahu.
Ajo ka treguar përvojën në institucione që thotë se është tejet e hidhur dhe e rëndë për të e për familjen.
Sipas saj, autoritetet kanë treguar papërgjegjshmëri të plotë në këtë rast.
“Polici thotë se e kam dorëzuar lëndën në Prokurori, Prokuroria thotë se nuk është lënda. Prokurorja e rastit nuk ka dalë në vendngjarje pavarësisht humbjes së një jete, e cila thotë se tash jam larguar nga rasti, kam qenë kujdestare... Është një trajtim i padinjitetshëm, një zvarritje që po i bëhet një familjeje që ka humbur personin e tyre shumë të dashur, nga institucionet tona. Jam e shokuar, e tronditur, e traumatizuar prej këtij rasti”, ka thënë Bejtullahu.
Bejtullahu thotë se personi që goditi për vdekje babanë e saj e që nuk ka marrë kurrfarë dënimi nga institucionet, ka lidhje të forta me politikën. Ai është djali i një biznesmeni.
KOHA dërgoi pyetje te personi që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin me fatalitet, te Prokuroria, Gjykata dhe Policia, por nuk mori ndonjë përgjigje të mërkurën.
E, bazuar në njoftimin e Policisë për aksidentin, theksohet se nga pakujdesia i dyshuari ka goditur këmbësorin dhe se me vendim të prokurorit, pas intervistimit është liruar.
Gjatë ditës një reagim publik e ka bërë familja e Ferhat Bejtullahut që ka vdekur pas goditjes nga vetura. Në të alarmohet për mundësinë e “manipulimit të provave” nga institucione ligjzbatuese.