Bedri Elezi, njohës i çështjeve të sigurisë, e ka kualifikuar shqetësues faktin që Policia nuk ka reaguar ani se për më se dy dekada ka qenë e njoftuar për veprimtarinë e kundërligjshme që është zhvilluar në këtë objekt. Por ai ka shprehur qëndrimin se është edhe më shqetësuese po qe se Policia nuk qenë e informuar lidhur me rastin
Shqetësim i lartë për sigurinë është kualifikuar zhvillimi i veprimtarive të kundërligjshme për vite me radhë në një objekt ngjitur atij të Stacionit të Policisë në Prishtinë, në të cilin Policia ka ndërmarrë bastisje një ditë më parë.
Aksioni është ndërmarrë nën dyshimin për kryerjen e veprimtarive të paligjshme në aneksin kapur me objektin e stacionit policor, i cili që nga paslufta pretendohej se ishte shfrytëzuar nga një organizatë joqeveritare serbe.
Bedri Elezi, njohës i çështjeve të sigurisë, e ka kualifikuar shqetësues faktin që Policia nuk ka reaguar ani se për më se dy dekada ka qenë e njoftuar për veprimtarinë e kundërligjshme që është zhvilluar në këtë objekt. Por ai ka shprehur qëndrimin se është edhe më shqetësuese po qe se Policia nuk qenë e informuar lidhur me rastin.
“Ky veprim i Policisë së Kosovës mund të themi që është njëri ndër mesazhet më të rënda se çfarë i kemi kapacitetet tona të sigurisë, se sa lehtë është e cenueshme, si dhe mundësia e ushtrimit të aktiviteteve të kundërligjshme edhe brenda pronave të institucioneve të sigurisë”, ka thënë Elezi.
E Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike, ka se thënë mbyllja e një organizate që qysh nga paslufta ka vepruar kundërligjshëm ngjitur me Policinë nuk mund të shihet si sukses, pasi që, sipas tij, institucionet është dashur që të ndërhynin shumë më herët.
“Për mua është shumë interesante që Policia e Kosovës nuk e paska ditur për 23 vjet apo 24 mbase që ngjitur me derën e stacionit qendër në Prishtinë po ekzistuaka një organizatë joqeveritare, e cila po ofruaka shërbime të paligjshme. Në fakt, ajo organizatë nuk është e panjohur. Të paktën ne, që kemi mbamendje pak më të gjatë, e dimë që ajo është themeluar pas përfundimit të luftës, edhe qysh atëherë ka shërbyer si njëfarë vendtakimi për serbët në Prishtinë”, ka theksuar Mushkolaj.
Sipas Policisë dhe Prokurorisë, objekti është bastisur nën dyshimet për dhënien e shërbimeve të kundërligjshme shëndetësore. Por njohësit kanë alarmuar se një perimetër i tillë, përreth tri organeve kryesore të sigurisë, nuk mund të përdoret për këtë qëllim.
Elezi ka shprehur dyshimin se hapësira mund të jetë shfrytëzuar nga zyrtarët e shërbimeve sekrete serbe për spiunazh.
“Ndoshta në emër të veprimtarisë së biznesit janë zhvilluar veprimtari spiunazhi. Dhe këtë e bazoj në faktin që çdo institucion i inteligjencës, përkatësisht shërbim sekret synon fillimisht monitorimin e aktiviteteve të institucioneve të sigurisë dhe më do mendja se në këtë objekt mund të jenë ushtruar aktivitete të spiunazhit”, ka thënë Elezi.
E Mushkolaj e ka kualifikuar të rëndësishme qartësimin e veprimtarisë së saktë që është ushtruar përbrenda objektit.
“Duhet të bëhet shumë më e qartë për publikun se për çfarë realisht bëhet fjalë, kur flitet për shërbimet që janë ofruar aty. Për shkak se pati, të paktën në fillim kur u dha lajmi, hipoteza se aty mund të jetë një shërbim spiunazhi e kështu me radhë, gjë që janë të zakonshme si teori në raste të caktuara”, ka thënë ai.
As në Polici, as në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe as në Prokurori nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse kanë dyshime për shfrytëzimin e këtyre hapësirave për spiunazh.
Në MPB dhe në Polici nuk kanë treguar as se përse nuk janë interesuar më herët për veprimtaritë që janë ushtruar në këtë objekt dhe përse bastisja ka ndodhur me kaq vonesë.
Pas bastisjes të së mërkurës, objekti është mbyllur ndërsa janë intervistuar dy të dyshuar, të cilët më pas janë liruar me procedurë të rregullt. Ndaj tyre është hapur rast penal për veprën penale: “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”.