Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) ka gjetur se industria e duhanit tenton të zbeh perceptimet e zyrtarëve qeveritarë dhe publikut për efektet negative të duhanit, duke ekzagjeruar rëndësinë ekonomike të kësaj industrie e duke injoruar kostot shëndetësore, mjedisore dhe sociale që shkakton duhani.
Drejtori ekzekutiv i qendrës, Shkumbin Spahiu ka thënë se industria e duhanit shfrytëzon odat ekonomike për të ndikuar në politikat publike, për të dobësuar dhe penguar zbatimin e politikave të kontrollit të duhanit.
“Këto politika shëndetësore bien ndesh me interesat e industrisë së duhanit që synojnë të ruajnë dhe rrisin numrin e duhanpirësve dhe përfitimet ekonomike vetjake të saj”, ka thënë Spahiu.
E, përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Isme Humolli, ka thënë se industria e duhanit përpiqet të ndërhyjë në të drejtën e qeverive, thuhet në komunikatën e KADC.
Faik Hoti, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka theksuar se Kosova vazhdon të përballet me sfida në përparimin e politikave të kontrollit të duhanit për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme të industrisë së duhanit.
Sipas Hotit, numri i duhanpirësve në Kosovë ka rënë dukshëm. Siç ka treguar, vetëm një e katërta e popullsisë në vend është duhanpirëse.
Kurse, këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Egzon Azemi, ka deklaruar se vetëm në janar janë ndarë 520 gjoba për mosrespektim të Ligjit për Kontrollin e Duhanit. Ai ka thënë tutje se gjobat që jepen nga inspektorët sanitarë, do të procedohen direkt nga Oda e Përmbaruesve.
Në raportin e KADC-së thuhet se ndërhyrja e industrisë së duhanit ka ndikuar në vonimin e aprovimit të Udhëzimit Administrativ për Vërejtjet e Kombinuara dhe në vazhdimin e tregtimit të produkteve të duhanit pa paralajmërime të duhura shëndetësore. Në raport thuhet edhe se industria e duhanit ka tentuar të ndërhyjë në dispozitat kyçe të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, si shfaqja e produkteve të duhanit në pikat e shitjes dhe ndikimi te qeveritë për të ndryshuar politikat e tatimeve mbi duhanin.
Në tryezën që mbajtën për këtë temë, përfaqësuesit kanë bërë thirrje për krijim të mjedisit të shëndetshëm dhe mbrojtje të politikave të shëndetit publik nga ndërhyrja e industrisë së duhanit.