Arbëri

Vendimi i KGJK-së për shtesat mund të kontestohet në gjykata

Ligjshmëria e vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për dy lloje të shtesave, sipas profesorit Mazllum Baraliu, mund të kontestohet në Kushtetuese ose edhe në gjykatatat e rregullta. Ai ka thënë se marrja e vendimit për rritjen e pagave ose shtesave nuk mund të bëhet në emër të pavarësisë së cilitdo institucion

Vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës për shpërblimin e anëtarëve të këtij institucioni mund të kontestohet në Kushtetuese ose edhe në gjykatat e rregullta, ka vlerësuar profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu.

Sipas tij, marrja e vendimit për shtesa ose rritjen e pagave nuk mund të bëhet në emër të pavarësisë funksionale nga asnjë institucion. Këtë ai e ka quajtur anarki.

“Unë mendoj që pavarësia institucionale, gjegjësisht tri shtyllat e pushtetit nuk nënkupton anarki dhe nuk nënkupton diçka që quhet shkelje ligji, që dikush t’ia rrisë vetes në çfarëdo forme me shtesa a pa shtesa benificionet e caktuara, qofshin ato paga ose të tjera. Pra, pavarësia shkon deri aty ku nënkupton edhe kontrollin reciprok mes shtyllave të pushtetit, por nuk është absolute. Pavarësia nuk është pavarësi korporative. Nuk mund të sillet as Këshilli Gjyqësor dhe asnjë institucion tjetër i pavarur në mënyrë korporative, pra t’i mbrojë interesat e veta, të anëtarëve aty dhe jo interesat e qyetarit”, është shprehur Mazllum Baraliu.

Duke komentuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Baraliu ka thënë se edhe Kuvendi i Kosovës mund të kërkojë llogari ndaj institucioneve të pavarura, në rast se nxjerrin vendime të paligjshme ose bëjnë gabime.

“Ndonëse është institucion i pavarur, kategori kushtetuese, Kuvendi është ai i cili mund të kërkojë llogari dhe duhet kërkojë llogari kurdoherë që institucionet e pavarura duke përfshirë edhe Këshillin Gjyqësor, nxjerrin vendimi ose bëjnë gabime, të cilat nuk janë në përputhje me fushëveprimtarinë e tyre”, ka theksuar Baraliu. “Pra, ky Këshill i raporton Kuvendit, janë të themeluar nga Kuvendi edhe anëtarët, qofshin si anëtarë, qofshin si gjyqtarë, po ashtu zgjidhen dhe propozohen nga atje dhe do të duhej që në radhë të parë Kuvendi, por edhe kushdo që ka të drejtë prej institucioneve, e këto janë Presindeca, Qeveria, Parlamenti, Avokati i Popullit, deputetët-grupi i deputetëve që mund të marrin iniciativa drejt Gjykatës Kushtetuese, në qoftë se konsiderojnë që një vendim i një institucioni të pavarur i cenon të drejtat përkatëse të qytetarit ose interesin qytetar me atë vendim, atëherë mund ta iniciojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese”.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës nuk e kanë komentuar vendimin e KGJK-së, por kanë thënë se në nenin 12 të Ligjit për Pagat në sektorin publik parashihet shpërblimi i funksionarëve për kohë të pjesshme, ndërsa Rregullorja Nr. 10/2023 për Kompensimin për Funksionin Shtesë përcakton kriteret dhe procedurat për kompensim të zyrtarëve publik.

Bazuar në këtë dokument, nëse një zyrtari publik të një autoriteti publik ose organizate buxhetore i kërkohet që të shërbejë në ndonjë grup, ekip punues, autoritet apo organe të ngjashme, ai nuk ka të drejtë të pranojë dhe nuk do të pranojë kurrfarë kompensimi shtesë për këtë shërbim. Shërbimi, me këtë Rregullore, konsiderohet pjesë e detyrave të obligueshme të zyrtarit.

Por ka edhe përjashtime.

“2. Përjashtimisht, kompensimi për funksion shtesë mund të përfitohet kur plotësohen në mënyrë kumulative kriteret e mëposhtme: 2.1. themelimi i Komisionit/Bordit parashihet në ligj apo akt nënligjor; 2.2. përfshirja në komision përbën funksion shtesë për zyrtarin publik; 2.3. funksioni nuk bën pjesë te detyrat e obligueshme të pozitës të cilën zyrtari publik e mban; 2.4. përfshirja në Komision kërkon ekspertizë profesionale të cilën zyrtari e posedon; 2.5. komisionet/bordet të cilat kanë kompetenca Vendim-marrëse në procedurë administrative; 2.6. komisioni/bordi nuk themelohet nga institucioni ku zyrtari publik është i punësuar”, thuhet në pikën 2 të nenit 5, Kriteret për përfitimin të kësaj Rregulloreje.

Ndërsa, shtesa transitore, që anëtarët jogjyqtarë e marrin në shumën prej 1,565 eurove, nuk përmendet fare në këtë Rregullore.

KOHA ka raportuar javën që shkoi se me vendim të KGJK-së, tre anëtarë të tij marrin shtesa prej 1.565 eurove, të cilat nuk ua njeh ligji. Asnjëri nga të tre anëtarët nuk janë gjyqtarë, ndërkaq kjo shumë që e marrin është shtesë transitore, që në bazë të ligjit për paga u njihet vetëm gjyqtarëve për punën që bëjnë dhe jo pse janë anëtarë të Këshillit. Në shoqërinë civile, vendimin për shtesa e vlerësuan të jashtëligjshëm.

Krahas këtyre shtesave, Këshilli Gjyqësor gjatë vitit 2023 ka harxhuar edhe 45 mijë e 514 euro për dreka zyrtare, pije, karburante e shpenzime telefonike.