Arbëri

BE-ja kërkon marrëveshje në dialog për vendimin e BQK-së

Foto ilustrim

Foto ilustrim

Bashkimi Evropian i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret në operacionet me para të gatshme.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se BE-ja është në dijeni për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e parave të gatshme, që ka për qëllim zvogëlimin e falsifikimit, ruajtjen e stabilitetit financiar dhe rritjen e transparencës në qarkullimin e parave të gatshme në Kosovë.

Por ka deklaruar se kjo çështje duhet të diskutohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo ngrit shqetësime për ndikimin që do të ketë te komuniteti me shumicë serbe në Kosovë, në veçanti për shkollat dhe spitalet, për të cilët nuk ka asnjë proces alternativ që duket i duhur në këtë moment. Rregullorja po ashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia në dinarë serbë. Duke pas parasysh pasojat potenciale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë ne presim që aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ai.

Stano ka thënë se janë duke bërë thirrje për një periudhë të mjaftueshme transitore që do të mundësonte gjetjen e një zgjidhje të negociuar në këtë çështje specifike.

Pas vendimit të publikuar nga BQK-ja më 17 janar, BE-ja kishte thënë se ka kërkuar sqarime nga Kosova për këtë vendim.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – ka thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.


Vuçiqi i kërkon Lajçakut anulimin e vendimit të BQK-së

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar nga ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb sa i përket pagesave të gatshme në Kosovë.

Gjatë takimit të mbajtur të hënën në Beograd, Vuçiqi ka thënë se ka pasur takim konstruktiv dhe shumë të dobishëm me Lajçakun.

“Takimi konstruktiv dhe shumë i dobishëm me Lajçakun. Theksova domosdoshmërinë e formimit të Asociacionit të komunave serbe, mbajtjen urgjente të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe M., dhe kërkova mbështetjen e BE-së për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina. Ritheksova gatishmërinë e Republikës së Serbisë për të përmbushur detyrimet e saj në përputhje me marrëveshjet juridike ndërkombëtare, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Kartën e OKB-së”, ka shkruar ai në Instagram.

Image