Arbëri

KGJK-ja çon në “luks” mbi 45 mijë euro gjatë 2023-s

Të 12 anëtarët e Këshillit Gjyqësor takohen mesatarisht një herë në muaj, por gjatë 2023-s drekat, pijet, karburanti e telefonat e tyre i kanë kushtuar buxhetit të shtetit mbi 45 mijë euro. Bazuar në akte nënligjore, anëtarët mund t’i shfrytëzojnë veturat zyrtare gjatë gjithë kohës

Afro 4 mijë euro është shuma mujore që e ka harxhuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) për dreka zyrtare, pije, karburante e shpenzime telefonike. Në total, për vitin 2023 këto shpenzime arrijnë në 45 mijë e 514 euro.

Këtë buxhet KGJK-ja e ka shpenzuar krahas shtesave të tjera, përfshirë edhe ato prej mbi 1 mijë e 500 eurosh për anëtarët jogjyqtarë që në shoqërinë civile i kanë cilësuar të paligjshme.

E, kur janë pyetur për numrin e takimeve, zyrtarët e KGJK-së kanë thënë se ato ndodhin një herë në muaj, porse mund të mbajnë edhe takime të komisioneve të rregullta dhe ad hoc, varësisht nga nevoja.

Pas kërkesës së KOHËS për qasje në shpenzimet e vitit të shkuar, në KGJK kanë ofruar të dhënat për secilën kategori.

“Shpenzimet e shkaktuara për dreka zyrtare dhe për pije/kafe gjatë takimeve zyrtare ekzekutohen nga një kod unik buxhetor që mbulon shpenzimet e kësaj kategorie për Këshillin, Sekretariatin, Njësinë për Inspektim Gjyqësor, Komisionet e Përhershme dhe Ad-hok të Këshillit. Rrjedhimisht, gjatë vitit 2023 për dreka zyrtare janë shpenzuar: 11,510.30 euro, ndërsa për pije/kafe: 13,778.80 euro”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.

Në përgjigje kanë saktësuar edhe shpenzime të tjera, por të bëra vetëm nga anëtarët e Këshillit.

“Shpenzimet për telefoni mobile vala për anëtarë të KGjK-së janë 2,640.00 euro (sipas kontratës anëtarët e KGJK, mbushjet e valës i kanë nga 20 euro (18euro+2 euro) në muaj”, thuhet në përgjigje.

Ndërkaq shpenzimet për karburante për veturat e anëtarëve të KGJK-së nuk ndryshojnë as gjatë verës.

“Totali vjetor i shpenzimeve të derivateve për automjetet e anëtarëve të KGJK-së është 13,851 litra diesel/naftë, ndërsa në vlerë financiare është 17,585.20 euro, në vitin 2023. Kurse për tre mujorin e tretë (korrik, gusht dhe shtator) totali i shpenzimeve të karburantit të veturave për anëtarë të KGJK-së është 2.660,00 euro”, thuhet në përgjigje.

Këshilli ka arsyetuar shpenzimet për karburante, duke thënë se anëtarët mund t’i mbajnë veturat zyrtare gjatë gjithë kohës.

“Sa i përket shfrytëzimit të veturave nga anëtarët e KGJK-së, kjo çështje është e rregulluar me Udhëzimin Administrativ (03/2021) për Shfrytëzimin dhe Përdorimin e Automjeteve Zyrtare, i cili në nenin 3, paragrafi 1, përcakton se: kryesuesi i Këshillit, zëvendëskryesuesi i Këshillit, anëtarët e Këshillit, kryetarët e gjykatave, drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit, drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor, kanë të drejtë të shfrytëzojnë dhe të përdorin automjetet zyrtare për kryerjen e punëve zyrtare gjatë njëzetë e katër (24) orëve”, thuhet në përgjigjet e KGJK-së.

KOHA raportoi këtë javë se me vendim të KGJK-së, tre anëtarë të tij marrin shtesa prej 1.565 eurove, të cilat nuk ua njeh ligji. Asnjëri nga të tre anëtarët nuk janë gjyqtarë, ndërkaq kjo shumë që e marrin është shtesë transitore, që në bazë të ligjit për paga u njihet vetëm gjyqtarëve për punën që bëjnë dhe jo pse janë anëtarë të Këshillit. Në shoqërinë civile, vendimin për shtesa e vlerësuan të jashtëligjshëm.