Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot po qëndron për vizitë në Kosovë.
Ai është pritur në takim nga presidentja, Vjosa Osmani.Pas takimit me Osmanin nuk ka pasur deklarime për media.
Në një postim në faqen e Presidencës në Facebook lidhur me këtë takim thuhet se Kosova dhe Maqedonia e Veriut ndajnë jo vetëm raporte të shkëlqyera fqinjësore, por edhe projekte të shumta që kanë për qëllim t’i afrojnë edhe më shumë qytetarët tanë.
“Takimi i sotëm me Presidentin Stevo Pendarovski ishte një mundësi e mirë për t’i diskutuar zhvillimet e fundit, çështjet e interesit të ndërsjellë, si dhe hapat për ta avancuar të ardhmen evropiane të vendeve tona”, thuhet në njoftim.
Pas Osmanit Pendarovski është prituar në takim edhe nga kryeministri, Albin Kurti.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
Policia ka njoftuar se gjatë kësaj vizite do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë.