Arbëri

Rivlerësohet vendimi që këmben pronat komunale me ato të ish-klientëve të Ramës, njoftohet Policia

Ndonëse vendimi i Kuvendit Komunal për këmbimin e pronës 20-hektarëshe komunale me 8 hektarë në Badoc, i propozuar nga kryetari Përparimi Rama, kishte kaluar filtrat e MAPL-ja e kishte rezultuar si të ligjshëm, ky proces është kthyer në rivlerësim. Ministri Elbert Krasniqi ka thënë që procesi do të rivlerësohet, ndërsa ka njoftuar edhe Policinë e Kosovës, pasi ka shprehur besimin se Komuna e ka vënë në lajthitje Ministrinë

Saktësisht një muaj me parë Komuna e Prishtinës e ka kaluar propozimin e kryetarit Përparim Rama që pronat në Badoc të ish-klientit të tij, Rrahman Haradini, të këmbehen me pronën milionëshe në zonën Prishtina e Re, që konsiderohet zona me më potencial financiar për shkak të zgjerimit në atë pjesë.

Është dashur të raportonte KOHA për këtë çështje që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pasi fillimisht ka thënë që vendimi ishte i ligjshëm, ta rikthejë sërish për vlerësim atë. E përveç kësaj, ministri i këtij dikasteri, Elbert Krasniqi, ka thënë që rasti është denoncuar edhe në Policinë e Kosovës.

“Ju njoftoj se tashmë kam marrë vendimin për rivlerësimin e brendshëm të vendimit dhe kam njoftuar drejtorin e Policisë së Kosovës për vlerësimin nëse ka hapësirë për të nisur hetimin”, ka thënë ai.

Krasniqi është pyetur se si ndodhi që fillimisht vendimi të konsiderohej i ligjshëm. Sipas tij, ka dyshim që Komuna e udhëhequr nga Rama i ka vënë në lajthitje.

“Ne kemi shqyrtuar atë që na është ofruar, por pas kontestimit publik jemi interesuar dhe kemi dyshimet tona që Komuna e Prishtinës e ka vënë në lajthitje interesin publik, prandaj dhe e kemi njoftuar Policinë e Kosovës”, ka theksuar ai.

Argumenti i vetëm në krejt shkresat e këmbimeve të pronave që kryetari aktual Përparim Rama e ish-kryetari Shpend Ahmeti kanë përdorur kur kanë propozuar këmbimet e pronave komunale milionëshe ka qenë një dokument i Ministrisë së Ambientit për pëlqim për ndërrimet e pronës publike, ku lejohen ndërtimet e larta me pronën ku nuk lejohen ndërtimet në Badoc e që janë pronë e ish-klientit të kryetarit Rama.

Shkresa e Ministrisë së Ambientit thotë që vetëm Komuna duhet të bazohet në ligj për këtë proces.

E, Ahmeti fillimisht, por pastaj edhe Rama, kanë thënë që kjo shkresë është pëlqim që i lejon këta t’i bëjnë këto këmbime. Ky ka qenë argumenti i vetëm që të dy kryetarët e kanë përdorur kur kanë propozuar këmbimin e tokave milionëshe të Komunës me toka që nuk mund të shfrytëzohen për ndërtim në Badoc.

“Nuk mund të japë Ministria pëlqim me e arsyetua interesin publik. Nuk mundet me dhanë Ministria e Mjedisit as vlerësim. Këtë e bën Ministria e Financave”, ka thënë ministri Aliu. “Shpronësimet e këmbimet nuk mund të bëhen pa e pasur të plotë argumentimin e interesit publik. Pa pasur arsyetim publik të qartë nuk mund të ketë as shpronësime e as këmbime të pronave”.

Në asnjërin propozim e në asnjë shkresë tjetër kryetari Rama nuk ka përmendur asnjë argument se çka fiton Komuna nga ky këmbim.

Pas raportimit të KOHËS ai ka insistuar që shkrimi është i bazuar në shpifje duke përsëritur se “ka pëlqim nga Ministria e Ambientit”.

KOHA ka raportuar që me propozim të ish-kryetarit Ahmeti ka kaluar vendimi për dhënien e pronës rreth 7-hektarëshe në Prishtina e Re biznesmenit Haradini, në këmbim të rreth 10 hektarëve në Badoc. Mbi bazën e këtij vendimi Rama e ka nënshkruar kontratën me ish-klientin e tij.

Mbi po të njëjtën bazë ka propozuar këmbimin edhe të një prone tjetër me vlerë dhjetëra milionë eurosh, me pronë 8-hekatëshe në Badoc. Vendimi i fundit ka kaluar për shkak që asamblistët e lëvizjes Vetëvendosje ia bënë kuorumin Ramës duke qëndruar në sallën e Kuvendit Komunal.