Me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tre anëtarë të tij marrin shtesa prej 1.565 eurove, të cilat nuk ua njeh ligji. Asnjëri nga të tre anëtarët nuk janë gjyqtarë, ndërkaq kjo shumë që e marrin është shtesë transitore, që në bazë të ligjit për paga u njihet vetëm gjyqtarëve për punën që bëjnë dhe jo pse janë anëtarë të Këshillit
Tre anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) marrin shtesa mujore në vlerë 1.565 euro, e të cilat Ligji për Paga nuk i parasheh për ta. Asnjëri nga të tre anëtarët nuk janë gjyqtarë, ndërkaq kjo shumë që e marrin është shtesë transitore, që në bazë të ligjit u njihet vetëm gjyqtarëve për punën që bëjnë dhe jo pse janë anëtarë të Këshillit.
Shuma që arkëtojnë, krahas shtesës prej 346 eurosh, është mundësuar në bazë të një vendimi të KGJK-së e që mban nënshkrimin e kryesuesit të KGJK-së, Albert Zogaj.
“Anëtarëve jogjyqtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përveç shpërblimit të paraparë me pikën ii të këtij neni, u takon edhe shtesa transitore, e cila sipas Ligjit nr.08/L-196 për pagat në sektorin publik njihet edhe për anëtarët gjyqtarë të Këshillit”, shkruan në vendimin e KGJK-së.
Kur janë pyetur për shumën që e marrin anëtarët e KGJK-së, zyrtarët e këtij institucioni të drejtësisë e kanë cituar nenin 12 të Ligjit për paga, i cili në paragrafin 1 specifikon se anëtarët e organeve drejtuese, sikur janë këshillave të cilët nuk e ushtrojnë mandatin me kohë të plotë dhe nuk përmenden shprehimisht në shtojcën e ligjit, “shpërblehen në masën njëzet për qind (20 %) të pagës së kryetares/it të organit kolegjial me kohë të plotë”.
Kësisoj, shtesa që parashihet për ta, bazuar në ligj, është në lartësinë 346.50 euro, në muaj, meqë kjo korrespondon me 20-përqindëshin e pagës prej 1,732.50 eurosh, sa është ajo e kryesuesit të KGJK-së.
Në KGJK kanë dhënë një përgjigje edhe për shtesën kryesore prej 1,565.10 eurosh që u jepet të tre anëtarëve, krahas 346.50 eurove sa është lartësia e shtesës së rregullt.
Sipas këtij institucioni, “shtesa tranzitore” jepet bazuar në paragrafi e parë të nenit 41 të Ligjit për pagat në sektorin publik.
Por, paragrafi të cilit i është referuar Këshilli flet për zyrtarët e funksionarët publikë, që me ligj u zvogëlohen pagat, dhe të cilët kanë të drejtë në shtesën tranzitore.
“Nëse një zyrtar/e publik/e apo funksionar/e publik/e, para hyrjes në fuqi të këtij ligji përfitonte pagë që është më e madhe se paga e plotë e parashikuar me këtë ligj, ajo/ai do të përfitojë pagën e re sipas dispozitave të këtij ligji dhe shtesën tranzitore të barabartë me diferencën ndërmjet pagës aktuale dhe pagës së re bazë”, thuhet në këtë dispozitë ligjore.
Këshilli nuk tregoi se sa ishte vlera e shumës mujore që anëtarët jogjyqtarë realizonin përpara se ligji i ri për paga të hynte në fuqi.
Vendimi i KKGJK-së është marrë më 20 qershor 2023, ndërkaq të dyja shtesat mujore bashkë, në vlerë 1,911.60 euro, të tre anëtarët i kanë marrë retroaktivisht për pesë muajt paraprakë.
E dhëna është konfirmuar edhe nga KGJK-ja.
“Anëtarët e KGJK-së gjyqtarë me orar jo të plotë dhe jo gjyqtarë, nga momenti i hyrjes së Ligjit Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik deri në muajin qershor 2023 nuk kanë marrë asnjë pagesë, nga muaji shkurt 2023 deri në muajin qershor 2023, për arsye të mungesës së një vendimi nga ana e KGJK-së. Kjo është në përputhje të plotë dhe me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 04/128 Datë: 16.02.2023 paragrafi 7 i cili shprehet: ‘Obligohen të gjitha institucionet që deri me 30 shtator 2023 të përfundojnë klasifikimin e vendeve të punës në institucionet e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së. “Anëtarët e KGJK-së jo gjyqtarë janë paguar në mënyrë retroaktive për muajt: (shkurt, mars, prill, maj dhe qershor) të vitit 2023 dhe atë për kompensimin që ju takon me ligj 20 % e pagës së kryesuesit të KGJK-së në vlerë prej 346.50€ plus shtesën tranzitore prej 1,565,10 €, ashtu siç e ka paraparë Neni 41 Ligjit Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik dhe vendimin e Këshillit: KGJK nr. 263/2023 datë 20 qershor 2023 pika V”.
Përkitazi me shtesat, KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratë, e cila i ka përcaktuar koeficientet për paga dhe Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, e cila i ekzekuton pagesat, por gjatë ditës nuk janë përgjigjur.