Drejtor i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman, ka thënë se kjo ide e rritjes së BE-së përshpejton aderimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt bllokut. Në tryezën në Shkup në kuadër të samitit Ballkani Perëndimor takon BE-në, Kopmann ka thënë se është i inkurajuar me entuziazmin.
Koopmann ka thënë se kjo rritje e dyfishon ekonominë e rajonit.
“Mësimet nga zgjerimi paraprak tregojnë se pikërisht tregu është kyç. Përmendim edhe faktin se tregjet e vendeve u rritën menjëherë pas aderimit në BE. Deri tash janë rritur trefishtë e me këtë ndryshojnë gjërat. Prandaj është ky plani i rritjes dhe duhet shumë punë. Për të hyrë në tregun tonë të përbashkët duhet shumë punë. Ne i kemi përveshur mëngët të angazhohemi në këtë drejtim. Ne do të ju ndihmojmë të integroheni mes vete, derisa të integroheni në tregun e përbashkët. Konsideroj se është shumë me rëndësi, pasi pa integrim rajonal thjeshtë s’mund të shfrytëzoni mjaftueshëm leverditë e tregut tonë të përbashkët. Prandaj kusht në këtë pjesë të planit të rritjes është të mos bllokoni fqinjët. Mund të bllokoni vetveten nëse bllokoni fqinjët”, ka thënë Koopman.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, është shprehur se Ballkani Perëndimor duhet të bëjë hapat të rëndësishëm drejt harmonizimit për zhvillim të përbashkët ekonomik.
Ai ka theksuar se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë nga reformat, në rrugën drejt integrimit në BE.
“Strategjia për integrim përshpejton qasjen në BE, si tregtia e investimi më i madh...Për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme, qasja është më shumë se procedurë, e një udhëtim gjithëpërfshirës i transformimit, duke parë këtë, kemi masa për të përshpejtuar”, ka thënë Kovaçevski.
O’Brien paralajmëron pasoja për vendet që tentojnë bllokimin e fqinjëve

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, ka deklaruar se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të mund t’i bllokojnë fqinjët në nismën për zhvillimin ekonomik, e sipas tij, kushdo që përpiqet ta bëjë këtë, do të përballet me pasoja.
Ai është shprehur se nëse liderët s’duan të ecin para në këtë drejtim, “atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse ata liderë janë të duhurit”.
“Askush s’ka të drejtë pengojë dikë për avancim pasi s’ka çështje dypalëshe të pazgjidhur, kush e bën këtë do të ballafaqohet me pasoja, nëse një shtet do të presë të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse ata liderë janë të duhurit, secili lider e vëren rëndësinë për të avancuar në këtë drejtim”, ka thënë O’Brien.
Sipas zyrtarit të SHBA-së, secili lider i Ballkanit Perëndimor duhet të vërejë rëndësinë për të ecur drejt Bashkimit Evropian dhe zhvillimit rajonal.
“Në nivelin bazë flasim për lirinë e tregut që u lejon njerëzve e tregjeve të lëvizin lirshëm. SHBA-ja mbështet idenë, kemi shpenzuar 200 milionë euro për këtë rajon dhe do të mbetemi të përkushtuar në këtë, por jemi fokusuar që vendin ta përfshijmë në tregun e vet. Ekipi i Këshillit po bën punë të madhe, mendojmë të arrijmë edhe më shumë, kjo do të mundësojë që çdo shtet dhe qytetarë të saj të punojnë përtej kufijve, e kostot do të ulen për dyfish”, është shprehur ai.
E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me rëndësi për të janë shiritat e gjelbër. Ai thotë se do të jenë ndihmë e madhe për krijimin e një mjedisi biznesi më të mirë për qytetarët, por edhe ata që duan të investojnë në rajon.
“Kur flasim për tregun e përbashkët rajonal, jemi të hapur për gjitha idetë, të gatshëm për t’i realizuar ato dhe besojmë thellë se mund ta bëjmë”, tha Vuçiq.
Ai ka përmendur sërish të mirat që ka sjellë “Ballkani i Hapur”.
Rama: Harroni historinë, BE-ja më e rëndësishmja

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të harrojnë historinë dhe të shohin vetëm ngjyrën e Bashkimit Evropian.
Ai ka thënë të hënën se flamuri më i rëndësishëm është flamuri i BE-së, duke shtuar se për histori “kishim liderë të mjaftueshëm”.
“Të vendosim një rreth politik si mbrëmë, të takohemi rregullisht për shkak se edhe pse jemi entuziastë, jemi ballkanas, e nëse nuk vini për të na ulur bashkë, mund t’i bëjmë punët pisk. Koordinim teknik është shumë i rëndësishëm, ministrat e 6 vendeve të kenë mesazh të qartë ë të harrojmë historinë, të jenë daltonist për historinë, daltonizmi është sëmundje që iu ndalon t’i shihni ngjyra, të harroni cila ngjyrë është flamuri i vendeve tona. Flamuri më i rëndësishëm është flamuri i BE-së, që të realizojmë. Për histori mendoj se kishim liderë të mjaftueshëm, ministrat të mbajnë mend se kemi vetëm një ngjyrë, ajo është ngjyra e flamurit të BE-së”, është shprehur Rama.
Ai i ka ftuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të jenë pjesë e Samitit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në fund të shkurtit, që të shkëmbehen përvojat për luftën ndaj korrupsionit.
“Po përgatisim një samit në Tiranë për Ukrainën dhe do të kemi të pranishëm presidentin Zelensky. Paralelisht me të do të përpiqemi që në atë hark kohor të kemi edhe takimin tjetër të liderëve të rajonit me përfaqësuesit e sotëm dhe që janë ata që do të ndjekin këtë proces të Komisionit Evropian dhe administratës amerikane për të bërë një bilanc të këtij muaji nga sot deri në fund të shkurtit dhe për të vazhduar që të punojmë me ritmin e përshpejtuar që diktohet edhe nga proceset që janë sot në Evropë”, ka thënë Rama.
Drejtori i Shërbimit Evropian i Veprimit të Jashtëm të BE-së, Marko Makoveq, ka shtuar se bashkëpunimi rajonal ka rol politik, duke shtuar së është pro zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo nismë do të nxisë transformimin dhe do të ndikojë të ndajmë vlerat në BE dhe rajon. Është esenca e zgjerimit, do të tentojmë të përmirësojmë dhe besojmë që ky instrument duhet të shfrytëzohet nëpërmjet takimeve. Të gjitha takimet mund t’i shfrytëzojmë për të gjitha çështjet, të punojmë me planin e rritjes”, ka theksuar ai.