Arbëri

Konsiderohet i pasaktë rezultati për transparencën e komunave

media

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka vlerësuar si transparente komunat e Kosovës në raportin e performancës për vitin 2022. Bazë e këtij vlerësimi janë shtatë tregues që kryesisht kanë të bëjnë me publikimin e dokumenteve në ueb-faqet zyrtare të komunave. Por, përfaqësues të shoqërisë civile e gazetarë vlerësojnë se pa përfshirjen si indikatorë edhe të gatishmërisë së komunave për të siguruar qasje në informata e dokumente publike, kur ato i kërkojnë OJQ-të dhe mediat, ky rezultat nuk mund të konsiderohet real

Transparente i ka vlerësuar shumicën e komunave Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në raportin e performancës së komunave të Kosovës për periudhën janar-dhjetor 2022.

Bazë e këtij rezultati janë shtatë tregues, si transmetimi online i mbledhjeve të kuvendit, niveli i qasjes nga qytetarët në dokumente publike, përmbushja e kritereve të faqes zyrtare, publikimi i akteve të miratuara të Kuvendit Komunal në faqen zyrtare, publikimi i akteve të përgjithshme të kryetarit në faqen zyrtare, publikimi i dokumenteve për planifikim dhe shpenzim të buxhetit, publikimi i dokumenteve të prokurimit publik dhe i kontratave.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile e gazetarë kanë vlerësuar se pa përfshirjen edhe të qasjes në informata e dokumente publike të komunave nga OJQ-të e mediat, ky rezultat nuk mund të konsiderohet real.

“Ka shumë tregues të cilët do të duhej të përfshiheshin në këtë raport. Pra, treguesi i shoqërisë civile dhe mediat. Mediat dhe shoqëria civile bëjnë më së shumti kërkesa në komunë. Andaj është edhe një gabim i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që këta tregues nuk i ka përfshirë fare në transparencë. Ne gjithashtu i kemi bërë thirrje Ministrisë që t’i përshijë edhe disa tregues, por të cilët nuk janë marrë parasysh”, ka thënë Valmir Ilazi, hulumtues në organizatën INPO.

Me 100 për qind transparencë raporti i ka vlerësuar Drenasin, Junikun, Rahovecin, Shtimen e Suharekën. Kurse, me 99.36 për qind është vlerësuar Komuna e Prishtinës.

Ilazi thotë se para se të publikohej ky raport, i është rekomanduar Ministrisë që t’i përfshijë edhe mediat e OJQ-të, pasi, sipas tij, vetëm me qytetarët nuk mund të merret si tregues i saktë.

Ai insiston se në Komunën e Prishtinës zyrtarët për komunikim dhe qasje në dokumente publike janë profesional, por që qasja nuk varet vetëm prej tyre.

E gazetari i KOHËS, Ardit Kika, tregon se gjatë punës si gazetar në shumicën e rasteve pyetjet për çështjet kryesore vazhdimisht mbesin pa përgjigje.

“Përgjigjja jo gjithmonë është indikator i transparencës, sepse kohë pas kohe të dhënat më të rëndësishme nuk i plasojnë për publikun ose më mirë të themi nuk u përgjigjen qytetarëve. Herën e fundit kur kam raportuar për Komunën e Prishtinës jam interesuar për çështjen e kamerave të reja që kryetari i ka paralajmëruar, si kamera me inteligjencë artificiale dhe që do ta përforcojnë në masë të madhe sigurinë në kryeqytet”, tregon Kika. “Sidoqoftë Komuna nuk e ka treguar numrin e kamerave që do t’i vendosë... Sa herë që ata nuk i shpalosin këto informacione, jo vetëm që nuk e informojnë si duhet publikun, por edhe i pengojnë gazetarët që ta realizojnë misionin e tyre për ta informuar publikun”.

E publikimi i dokumenteve në ueb-faqe, sipas gazetarit Kika, nuk do të duhej të merrej si indikator për matjen e transparencës.

“Është me rëndësi të ketë edhe transparencë cilësore. E kur Komuna e Prishtinës nuk e tregon sa kamera do t’i vendosë, të paktën përafërsisht pritet të vendosen në emër të sigurisë publike, atëherë kjo nuk është transparencë”, ka thënë ai.

Pos përvojës jo të mirë të Kikës me qeverinë lokale në kryeqytet, edhe Valmir Ilazi thekson se Komuna e Prishtinës e ka zakon që asnjëherë nuk lejon qasje në dokumente publike brenda afatit ligjor. Këtë thotë se e bën vetëm pasi pala të jetë ankuar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

“Është shumë e zakonshme në Komunën e Prishtinës t’i pranojmë dokumentet pasi që të dërgojmë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Kjo nënkupton që në njëfarë forme Komuna nuk është tërësisht e hapur për bashkëpunim”, thotë Ilazi.

Katër komunat që kanë dalë më keq për transparencë në raportin e Ministrisë janë Fushë-Kosova me 47 për qind, Ranillugu me 43 për qind, Mamusha me 23 dhe Parteshi me 20 për qind.