Ministria e Mjedisit ka reaguar ndaj njoftimit të Organizatave për mbrojtjen e mjedisit, të cilat kanë ngritur padi kundër kësaj ministrie në lidhje me lejen mjedisore të “Kelkosit”.
Në reagimin e lëshuar nga ministri Liburn Aliu, thuhet se kompania që e zotëron hidrocentralin “Lumbardhi 1” në Deçan është kompania “Kelkos”, (KELAG) kompani publike austriake.
Aliu ka thënë se pretendimet që ai si ministër ka lejuar dhënien e lejes fshehurazi, janë të pavërteta.
“Së pari, pretendimet që unë si Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës lejoj dhënie të lejes fshehurazi janë të pavërteta dhe të paqëndrueshme. Qoftë procesi i lejeve, takimi me palët apo çfarëdo procesi tjetër është publik dhe i dokumentuar. Për rastin konkret ne në Ministri kemi pasur takime me kompaninë ‘Kelkos’. Takimi ka qenë takim zyrtar, me të pranishëm zyrtarët përkatës të Ministrisë, brenda normave protokollare duke pritur kompaninë ‘Kelkos’ si palë që kërkonin vëmendje rreth dy hidrocentraleve që nuk janë pajisur me leje mjedisore, e për të cilat së fundi kompania në fjalë ka dërguar Kosovën në arbitrazh. Kjo është si rrjedhojë e një varg veprimesh nga Qeveritë e kaluara, temë të cilën po e trajtojnë organet e tjera dhe jemi duke e trajtuar edhe ne brenda Ministrisë”, thuhet në reagimin e Aliut.
Ai më tej ka thënë se pretendimi tjetër që kompania “Kelkos” vepron lirshëm dhe është partnere e saj, është po ashtu akuzë e pavërtetë.
“Së dyti, pretendimi se kompania ‘Kelkos’ vepron lirshëm dhe është ‘partnere’ e imja janë po ashtu akuza të pavërteta motivi i vetëm i të cilave është krijimi i përshtypjes së rrejshme për rrjedhën e këtij procesi. E vërteta është se veprimi ose jo i kësaj Kompanie, pra ‘Kelkos’ i përket gjykatës për të cilën po ashtu si Lëvizje VETËVENDOSJE!, edhe si deputet asokohe së bashku me Qendrën tonë në Deçan kemi ushtruar Padi. Së treti, dua të njoftojë të gjithë qytetarët se këtu nuk bëhet fjalë për leje për ndonjë Hidrocentral të ri, por një leje të lëshuar në vitin 2022 për Hidrocentralin ‘Lumbardhi 1’, i ndërtuar në vitet e paraluftës, kur as ne e as kompania Kelkos nuk kemi qenë prezent”, thuhet më tej në njoftim.
Aliu ka shtuar se nga Komisioni për Leje Mjedisore është njoftuar që “Kelkos Energy” është pajisur me Leje Mjedisore nga MMPHI për Hidrocentralin gjenerues “Lumëbardhi I” (ish Kozhnjeri), me datë 14 dhjetor të vitit 2022.
“Leja Mjedisore është lëshuar, duke u bazuar në nenin 31 të Ligjit Nr.03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit, Udhëzimin Administrativ MMPHI Nr.04/2022 për Leje Mjedisore. Gjatë vizitës së Komisionit tek operatori, i cili infrastrukturën bazike te hidrocentralit të ndërtuar në vitet e 50-ta, pas privatizimit në vitet 2000 e kishte rindërtuar me turbina e gjenerator të ri të vënë në funksion në vitin 2005, është ka konstatuar se të gjitha kushtet sikurse tubacioni dhe pajisjet përcjellëse janë trajtuar e rehabilituar si dhe është vendosur shtegu i duhur për lëvizjen e peshqve përgjatë rrjedhës së lumit. Kushte e kritere këto që kontrollohet nëse një operator i ka plotësuar kushtet e përcaktuara mjedisore”, është shprehur ai.