Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Qeveria e Serbisë të hënën ka marrë vendimin që mundëson lirinë e lëvizjes për të gjitha automjetet nga Kosova, që ka qenë obligim i saj sipas Marrëveshjes së vitit 2011 të arritur mes palëve në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Deri më tani qytetarët e Kosovës janë lejuar të futen në Serbi me targa të Kosovës, vetëm se pjesa ku ka shkruar RKS është dashur që të mbulohej me stikers.
Petkoviq ka thënë se vendimi do të zbatohet nga 1 janari.
"Ky vendim në fakt ishte detyrim i yni nga Marrëveshja e vitit 2011 për lirinë e lëvizjes e nënshkruar nga Borko Stefanoviq, e cila u referohet targave RKS dhe letërnjoftimeve të Kosovës, lejimin e patentë shoferëve të Kosovës”, citohet të ketë thënë Petkoviq.
Ai ka thënë se Qeveria e Serbisë është në pritje që Kosova të përmbushë detyrimet e saj sipas Marrëveshjes së Brukselit, dhe jo vetëm atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
"Sot kemi mundësuar lirinë e lëvizjes për të gjitha automjetet nga Kosova. Ky do të jetë një impuls i shtuar jo vetëm për 'Ballkanin e Hapur', por do t'ua lehtësojë jetën serbëve në Kosovë ... Në fakt, ne i ndihmuam ata që të jenë në gjendje të lëvizin dhe të jetojnë normalisht, sepse liria e lëvizjes është e nevojshme. Ndryshe nga Kurti, i cili shkel mbi lirinë e lëvizjes, ashtu siç shkel çdo ditë të drejtat e serbëve në Kosovë", deklaroi Petkoviq.
Ai ka sqaruar se pjesë e vendimit është edhe një deklaratë që pohon qartë se ky vendim nuk do të thotë njohje e Kosovës, përkatësisht nuk nënkupton asnjë mbështetje për anëtarësimin e saj në OKB, si dhe organizatat dhe agjencitë e OKB-së.
“Targat që i kemi lejuar, ashtu si edhe kartat e identitetit një vit më parë, nuk janë simbol i shtetësisë”, tha Petkoviq dhe kujtoi rastet e ngjashme, si në Kinë dhe Hong-Kong. Po ashtu përmendi Italinë, ku, sipas tij, rajone të ndryshme përdorin targa të ndryshme.
Petkoviq tha se tashmë nuk është fshehtësi që 99 për qind e serbëve përdorin targa RKS.
“Ato përdoren edhe nga murgjit dhe klerikët e Dioqezës së Rashkë-Prizrenit, për të mbërritur në faltoret dhe besimtarët e tyre”, ka theksuar ai. “Me këtë vendim do t'u mundësojmë njerëzve tanë që të arrijnë më shpejt në Serbinë qendrore dhe t'i kryejnë më shpejt detyrat e tyre, si dhe lëvizje më të shpejtë të automjeteve të ambulancës, që është gjëja më e rëndësishme”, tha Petkoviq.
Mbulimi i simboleve të Serbisë, përkatësisht të Kosovës, me ngjitëse të bardha ishte pjesë e marrëveshjes së arritur më 30 shtator 2021 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Banorët e komunave me shumicë serbe në veri, dy javë para arritjes së kësaj marrëveshjeje kanë bllokuar rrugët që shpijnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, meqë ndërkohë Qeveria e Kosovës pati vendosur masat e reciprocitetit për tabelat e automjeteve. Ky vendim, si dhe vendimi për të larguar tabelat e jashtëligjshme nga veturat e Kosovës, çoi në largimin e serbëve nga Policia dhe nga institucionet e tjera.