Arbëri

“Lumbardhi 1” heshturazi pajiset me leje ujore e mjedisore

Në heshtje dhe pa pjesëmarrje të publikut, Ministria e Mjedisit ka vazhduar me avazin e vjetër të licencimit të hidrocentraleve. Ani se me të ardhur në pushtet ministri Liburn Aliu pati premtuar rishqyrtim të licencave, vitin që shkoi ka lëshuar leje ujore dhe mjedisore për hidrocentralin “Lumbardhi 1” në Deçan për periudhë pesëvjeçare. Nga shoqëria civile kanë kritikuar për mospërfshirje të publikut në vendimmarrje

Me ardhjen në pushtet, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, pati paralajmëruar rishqyrtim të të gjitha lejeve dhe pëlqimeve të lëshuara më parë për hidrocentralet. Por në mënyrë të heshtur në fund të vitit të kaluar Ministria që ai e drejton ka lëshuar leje mjedisore për hidrocentralin e vjetër “Lumbardhi 1” në Deçan.

Sipas dokumentit të siguruar nga KOHA, leja mjedisore është lëshuar pas lejes për shfrytëzim të ujit që ky hidrocentral ka marrë në po të njëjtin vit.

Por asnjëri nga këto dokumente nuk gjendet në faqen e Ministrisë. Nuk ka pasur as njoftim paraprak për ndonjë dëgjim publik, duke përjashtuar pjesëmarrjen e publikut në lëshimin e këtyre akteve.

KOHA merr vesh se më 23 nëntor të këtij viti ministri Aliu dhe një grup zyrtarësh të Ministrisë janë takuar me përfaqësues të kompanisë “KELKOS”, ku është diskutuar për hidrocentralet. Takimit i ka paraprirë një takim i ministrit me zyrtarë brenda Ministrisë.

Në Ministri nuk janë përgjigjur lidhur me takimin dhe temën e diskutimit. Po ashtu, nuk kanë treguar as për lëshimin e lejeve për kompaninë “KELKOS”.

Shpresa Loshaj, drejtoreshë e organizatës “Pishtarët”, tha se nuk ishte në dijeni për këto leje dhe se kjo, sipas saj, është bërë në mënyrë të fshehtë.

“Së pari nuk i plotësojnë kushtet mjedisore dhe së dyti janë dhënë me një udhëzim administrativ antikushtetues sepse nuk përfshin pjesëmarrjen publike, nuk po e them vetëm ne, por e ka thënë edhe Zyra e Kryeministrit pasi ka bërë analizë ligjore dhe në vitin 2021 e ka udhëzuar ligjërisht Ministrinë e Mjedisit që të bëjë plotësimin e këtij udhëzimi administrativ që procesi të bëhet transparent dhe me përfshirjen e publikut”, ka thënë Loshaj.

Loshaj ka kërkuar sqarim nga kryeministri Albin Kurti nëse është në dijeni për veprimet e Ministrisë së Mjedisit.

“Tash, me dhënien e këtyre lejeve, janë krijuar disa probleme dhe disa dyshime. E para është se Ministria e Mjedisit po vazhdon të jetë vegël e atyre me xhepa të thellë që i japin leje kujt të duan, qysh të thonë; dhe e dyta është se e kemi një institucion brenda qeverisë që ka dalë komplet jashtë binarëve të shtetit”, ka theksuar ajo.

Sipas vendimit, operatori “Kelkos Energy” pajiset me leje mjedisore për hidrocentralin ish-Kozhnjer sipas një pëlqimi mjedisor që ishte lëshuar më 2005 nga UNMIK-u. Leja është lëshuar për periudhë 5-vjeçare.

Ndërtimi i hidrocentraleve është përcjellë me shkelje të shumta dhe me tejkalime të shumta ligjore, duke dëmtuar rrjedhën e lumenjve, e shpeshherë objektet e hidrocentraleve janë ndërtuar në prona publike.

Por, ministri Liburn Aliu pas ardhjes në pushtet gjatë një vizite te hidrocentralet në Brezovicë, ka thënë se asnjë hidrocentral nuk do të lejohet të punojë derisa nuk do t’i përmbushë kriteret mjedisore. Teksa e vlerësoi shqetësuese gjendjen e lumenjve në të cilët operojnë hidrocentralet, ai pati paralajmëruar rishqyrtim të të gjitha lejeve dhe pëlqimeve të lëshuara vite më parë për hidrocentralet.

“Do të shqyrtojmë edhe bashkë me zyrtarët e me strukturat e Ministrisë që kanë qenë të përfshira në gjithë këtë proces dhe në diskutim me to nëse do të dalë nevoja e rishqyrtimit, nëse vlerësohet që ka degradim, atëherë monitorimi është i nevojshëm para se të veprojmë tutje”, ka thënë Aliu.

Por, përveç që nuk e bërë këtë, ai nuk i mori për bazë as rekomandimet e grupit punues që vetë e themeloi, e i cili ka konstatuar një sërë shkeljesh të ligjeve dhe akteve nënligjore për mënyrën e licencimit dhe operimit të hidrocentraleve.

KOHA ka raportuar disa herë se si hidrocentralet kishin vepruar në mënyrë të kundërligjshme, pasi pa u pajisur me leje mjedisore ato ishin lëshuar në operim.