Arbëri

Kurti ofrohet të shkruajë draft për Asociacionin, BE-së i kërkon të merret me Vuçiqin

Draft modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është ofruar që të shkruajë kryeministri Albin Kurti, disa javë pasi e ka pranuar propozimin e Bashkimit Evropian. Këtë e ka thënë në reagimin ndaj emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili theksuar se Asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës dhe se nuk ka nevojë për nënshkrimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që e ka vendosur si parakusht Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmëri të premten që gjatë vitit të ardhshëm ta shkruajë një draft modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Këtë qëndrim ai e ka shprehur teksa i është përgjigjur të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE)për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka deklaruar se draftstatuti i Asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës.

“Draftstatutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiqi). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian, Miroslav Lajçak, meqë draftstatuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, ka shkruar Kurti të premten në një postim në Facebook.

Kurti i ka kualifikuar si presion publik mbi Kosovën opsionet që e shndërrojnë atë në temë problematike. Në vend të kësaj, ai ka kërkuar që BE-ja të merret më shumë me presidentin serb Vuçiq.

“Besoj që Brukseli dhe emisari evropian Lajçak do të merren shumë më tepër me presidentin e Serbisë Vuçiq, që i vodhi zgjedhjet në Serbi me ndihmën e Dodikut, Mandiqit e Radoiçiqit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së kryeministres Ana Bërnabiq), në vend se të na bëjnë presion publik me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e proevropiane në temë problematike”, ka shkruar ai.

Prioritet, siguria

Në pikën e parë të statutit të titulluar: “Normalizimi i Marrëdhënieve drejt vitit 2024”, Kurti ka shkruar se “prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës janë siguria për Kosovën, integriteti territorial i shtetit dhe jeta e mirëqenia e qytetarëve pa dallim”.

Në pikën e dytë, ai ka kërkuar që të publikohen konkluzionet e hetimeve për sulmin në Bansjkë.

“Konkluzionet e hetimeve për sulmin terrorist e kriminal të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku, duhet të bëhen publike menjëherë. Milan Radojçiq dhe pjesëtarët e grupit të tij paramilitar duhet t’iu dorëzohen autoriteteve të Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Në pikën e tretë, kryeministri ka kërkuar nga BE-ja dhe nga Shtetet e Bashkuara (SHBA) që t’i vendosin sanksione Serbisë.

“Shpresoj që Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja do t’i vendosin sanksione Serbisë, e posaçërisht presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, për eskalimin në veri të vendit tonë dhe për heqje dorë nga Marrëveshja Bazike (nëpërmjet letrës së kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të 14 dhjetorit)”, ka shkruar ai.

Por në qëndrimin rreth përgatitjes së draftstatutit për Asociacionin, Kurtit i ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, duke thënë se ka dy vjet që kjo kërkohet prej tij.

“Ka dy vjet që ‘kryeministri i shtetit të përkohshëm’, i ulur në tavolinë dialoguese me tre mosnjohës të tjerë shteti, që ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë. Në seancën e 3 nëntorit e kuptuam arsyen. Na tha, ‘nuk kam dashur të shkruaj një dokument të tillë, meqë kam qenë i bindur se ndërmjetësuesi më pas do të sillte një mes të dokumentit të Kosovës dhe atij të Serbisë’. Por dokumenti i ndërmjetësuesit erdhi. Jo si mes, por dhe më rëndë, erdhi si autonomi!”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook. “E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi! Autonomi e pranuar nga ‘kryeministri i shtetit të përkohshëm’ dhe presidenti i Serbisë. Dhe jo vetëm kaq. Ka plot dy muaj që si narracion kryesor të tij na thotë se ka qenë i gatshëm të nënshkruajë draftstatutin e Asociacionit me presidentin e Serbisë. Madje që atë ditë. Merreni me mend, një dokument të brendshëm të Kosovës, ta nënshkruajë jo një president Kosove, por një president hiç më pak se ai i Serbisë”.

Hasani: Asociacioni detyrim ndërkombëtar, statuti obligim i Qeverisë

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se Asociacioni është detyrim ndërkombëtar teksa për statutin ka theksuar se Qeveria duhet që të nxjerrë një vendim, i cili më pas mund të interpretohet nga Kushtetuesja.

“Formimi i Asociacionit është një prej detyrimeve ndërkombëtare që Kosova i ka marrë reciprokisht bashkë me Serbinë në Bruksel dhe në Ohër, këtë vit. Një pjesë e tyre kanë qenë detyrime të vjetra, të tjerat kanë qenë dhe janë detyrime të reja që palët i kanë marrë përsipër. Në mesin e atyre të vjetrave sigurisht është edhe Asociacioni”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, e vetmja hapësirë ku Kosova mund të përfitojë në këtë çështje është që vetë ta hartojë një draftstatut, i cili do të mbetej brenda parametrave të Kushtetutës.

“Ikja nga ky detyrim ka pasoja. Sa më shumë të shtyhet ky detyrim më shumë merr një barrë dhe dimension tjetër. Nuk është fjala për detyrim të brendshëm, pa marrë parasysh çfarë mund të thonë palët, por ky është një detyrim ndërkombëtar edhe kushtetues, kur është fjala për Kosovën, sepse ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Do të thotë, vetë formimi është çështje e detyrimit kushtetues ndërkombëtar, kurse përmbajtja e statutit duhet të diktohet nga Kosova. Kjo sepse detyrim kushtetues nënkupton që Kosova duhet ta draftojë vetë një statut dhe ta miratojë me vendim të Qeverisë, si organ kolektiv edhe ta dërgojë përpara procesin”, ka potencuar Hasani.

Tek i është referuar aktgjykimit të Kushtetueses nga viti 2015, Hasani ka thënë se procedimi tash nuk mund të bëhet me dekret.

“Aty është përdorur fjala akt juridik i Qeverisë. Statuti është akt implementues për zbatimin e marrëveshjes, i cili është sanksionuar me vendim të Gjykatës Kushtetuese, kurse përmbajtja e tij ka ndryshuar me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit. Për ta zbutur përmbajtjen që e ka pranuar kryeministri Kurti në Bruksel dhe Ohër, duhet vetë ta draftojë, jo t’i lejojë të tjerët. Por edhe statuti i fundit që është prezantuar është bërë me leje dhe ‘feed back’ është marrë prej palës sonë dhe asaj serbe. Nuk është e vërtetë se është imponuar”, ka deklaruar Hasani.

Modelin evropian për Asociacionin e kanë sjellë emisarët europerëndimorë më 21 tetor në Prishtinë dhe në Beograd. Në takimin me liderët e BE-së, Kurti e pati pranuar planin, por zbatimin e tij e ka kushtëzuar me nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë dhe të Aneksit të dakorduar në Ohër më 18 mars. Por presidenti serb Vuçiq ka refuzuar që ta bëjë këtë.

Në kuadër të përpjekjeve për zbatimin e marrëveshjes, emisari Lajçak ka biseduar javën e shkuar me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq. Në zyrën e Lajçakut nuk kanë treguar për veprimet që palët janë zotuar t’i ndërmarrim gjatë muajve në vijim.