Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dëshmuar Naim Curraj në çështjen penale për krime të kryera gjatë luftës, ku akuzohet Çaslav Joliq për maltretim të personave civilë, përfshirë edhe vëllain e dëshmitarit, të cilit ai tha se ia kanë thyer nofullën.
Në gjykimin për krime lufte ndaj Çaslav Joliqit, dëshmitari Naim Curraj ka thënë se i akuzuari me dy persona të tjerë e kanë rrahur vëllain e tij.
Dëshmitari është vëllai i Nexhmedin Currajt, njëri nga viktimat e pretenduara të Joliqit dhe disa policëve të tjerë serbë.
Naimi Curraj u shpreh të enjten, në seancën e radhës për këtë rast në Gjykatën Themelore në Prishtinë, se kur e ka parë vëllain e tij, ai ishte në gjendje tepër të rëndë.
“Nexhemedini ka qenë në gjendje të mjerueshme, nofullën e ka pasur të thyer dhe dhëmbët”, ka thënë dëshmitari Curraj.
Ai u shpreh se nuk e ka parë ngjarjen kur i është maltretuar vëllai, porse i kanë treguar të tjerët. Sipas tij, atë e kanë rrahur tre serbë.
“Nexhmedinin e kanë rrahë Çasllavi, Llaza dhe Rad Petoliqi”, ka thënë ai.
Prokurori Ilir Morina e pyeti se kush i ka treguar se Çasallavi e ka rrahur vëllain e tij dhe ai foli me emra e mbiemra.
“Naim Ferati edhe Zef Malsiaj”, ka thënë ai.
Dëshmitari u ballafaqua nga trupi gjykues nëse mund të identifikonte të akuzuarin Joliq dhe personin e quajtur Zoran, por tha se nuk mundet.
I akuzuari Joliq është deklaruar i pafajshëm në seancën e 14 dhjetorit 2022.
Prokuroria Speciale në nëntor të vitit të kaluar ngriti aktakuzë ndaj Joliqit me pretendimet se gjatë kohës së luftës në territorin e Komunës së Istogut në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile.