Sot në Serbi mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, në të cilat shqiptarët e Luginës së Preshevës do të garojnë me dy lista.
“Beteja politike e shqiptarëve vazhdon - Shaip Kamberi” udhëhiqet nga Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, nga Shqipërim Arifi.
Komisioni Zgjedhor i Serbisë ka njoftuar se në zgjedhje të drejtë vote kanë 6 milionë e 500 mijë e 666 qytetarë.
Kryetari i KRZ-së, Vladimir Dimitrijeviq tha se zgjedhjet do të monitorohen nga një numër rekord i vëzhguesve vendas dhe të huaj.
"5587 vëzhgues do të monitorojnë ciklin zgjedhor për deputetë. Këto janë nëntë shoqata vendase, 25 organizata ndërkombëtare dhe vende të huaja", tha kreu i KRZ-së.
Kur bëhet fjalë për vëzhguesit e huaj, Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut ka më së shumti - 255.
“Është edhe Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore, pastaj Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, Parlamenti Evropian, pastaj ambasadat e Norvegjisë, Zvicrës, Holandës e shumë të tjera”, njofton KRZ.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen pak më shumë se një vit e gjysmë pas zgjedhjeve të mëparshme parlamentare. Këto do të jenë zgjedhjet e katërta të jashtëzakonshme parlamentare që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe në vitin 2012.
Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Preshevë, Alban Mehmeti bëri të ditur për KosovaPress, se në Preshevë të drejtë vote kanë 43 mijë e 500 votues. Në këtë komunë votohet në 38 qendra të votimit.
Ndërkaq, kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Bujanoc, Fejzi Beqiri tha se janë 42 mijë e 786 qytetarë me të drejtë vote, të cilët mund të ushtrojnë vullnetin e tyre në 59 qendra votimi.
Komuna e Gjilanit ka organizuar transport falas qytetarët e Luginës që jetojnë në Gjilan, në mënyrë që ata ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.